Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Rama paralajmëron Serbinë: Pa normalizim me Kosovën, Beogradi do të mbetet peng i së kaluarës

Gazeta10
12 November 2026 - 8:14

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar se Serbia nuk mund të shkëputet nga e kaluara pa normalizuar marrëdhëniet me Kosovën.

Gjatë një bashkëbisedimi në Dublin të Irlandës, të organizuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Evropiane (IIEA), Rama ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Serbi, duke theksuar se është ende herët për të qenë entuziast për ndryshimet e mundshme në këtë vend.

Ai tha se zhvillimet politike në Serbi dhe ndikimi i tyre në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor mbeten të paqarta.

“Është shumë herët për të thënë diçka me saktësi për atë që vjen më pas”, deklaroi Rama.

Duke komentuar zhvillimet e brendshme politike në Serbi, kryeministri shqiptar i cilësoi ato si një eksperiment social dhe politik, duke iu referuar të ashtuquajturës “Listë Studentore” dhe mënyrës së përzgjedhjes së kandidatëve që mund të jenë pjesë e parlamentit apo qeverisë.

Sipas tij, kjo përfaqëson një qasje të re në politikën serbe, por mbetet të shihet nëse do të sjellë ndryshime konkrete në qeverisjen e vendit dhe në raportet e tij me Bashkimin Evropian.

Rama theksoi se Komisioni Evropian ka pasur probleme me administratën e mëparshme serbe, veçanërisht në çështjet që lidhen me sundimin e ligjit dhe përmbushjen e kritereve themelore për anëtarësim në BE.

Megjithatë, ai e vendosi theksin te marrëdhëniet me Kosovën, duke vlerësuar se pa normalizimin e tyre, Serbia do të vazhdojë të përballet me pasojat e së kaluarës.

“Për aq kohë sa nuk ka një qasje të hapur kundrejt Kosovës dhe normalizimit me të, kjo do të thotë që fantazma e së shkuarës do të vazhdojë ta përndjekë Beogradin dhe do të vazhdojë ta pengojë kombin serb që të kryejë një katarsis kaq të nevojshëm, që ende mungon”, u shpreh Rama.

Deklaratat e kryeministrit shqiptar vijnë në kohën kur zhvillimet e brendshme politike në Serbi dhe procesi i dialogut me Kosovën vazhdojnë të jenë ndër çështjet kryesore për stabilitetin rajonal dhe integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.