
Mungesa e kryeministrit Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës është bërë shkak për përplasje mes deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, dhe kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Rrahmani kritikoi kryeministrin për mungesën e tij në seancat parlamentare, duke thënë se Kurti nuk ka marrë pjesë në katër seanca dhe nuk u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve.
Ai përmendi edhe seancën e kaluar, kur, sipas tij, kryeministri kishte qenë në panairin e organizuar në Pallatin e Rinisë, në vend se të ishte i pranishëm në Kuvend për t’u përgjigjur para deputetëve.
Ndaj këtyre kritikave reagoi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila tha se vizitat zyrtare të kryeministrit ishin planifikuar shumë kohë më parë.
Haxhiu sqaroi se Kurti kishte qëndruar në Paris dhe më pas kishte udhëtuar për në Dublin, duke theksuar se bëhej fjalë për vizita zyrtare në kuadër të përfaqësimit të Kosovës.
Ajo kundërshtoi cilësimet e Rrahmanit për udhëtimet e kryeministrit dhe nuk ia dha fjalën për të vazhduar diskutimin.