
Ish-kryediplomati i Kosovës, Enver Hoxhaj, po merr pjesë në Forumin Strategjik të Slemanit, në rajonin e Kurdistanit në Irak, ku është takuar me ish-kryeministrin e Bullgarisë, Kiril Petkov, dhe me ish-zëvendëskryeministrin e ish-ministrin e Jashtëm të Turqisë, Ali Babacan.
Deputeti i PDK-së ka publikuar në Facebook fotografi nga takimet, duke theksuar se përfaqësimi i interesave të Kosovës mbetet një nga prioritetet e angazhimit të tij ndërkombëtar.
“Forcimi i marrëdhënieve me partnerët tanë dhe përfaqësimi i interesave të Kosovës në diskutimet për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor mbeten prioritete të angazhimit tim ndërkombëtar”, ka shkruar Hoxhaj.
Pjesëmarrja në forumin e Slemanit vjen pas dy angazhimeve të tjera ndërkombëtare. Ditë më parë, Hoxhaj ishte folës në Konferencën e Sigurisë në Berlin. Pas Berlinit, ai mori pjesë në Samitin e Aleancës Ndërparlamentare për Kinën (IPAC) në Hagë, në cilësinë e anëtarit të kësaj aleance.
Me këto angazhime, ish-ministri i Jashtëm vazhdon të ngrejë çështje me interes për Kosovën në forume ndërkombëtare.