
Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, ka propozuar në Kuvendin e Kosovës një rezolutë për sigurimin e furnizimit të pandërprerë me barna esenciale për pacientët onkologjikë.
Përmes kësaj rezolute, Jashari ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK-ja të ndërmarrin masa urgjente për të parandaluar ndërprerjen e terapive për shkak të mungesës së barnave.
Ajo ka kërkuar gjithashtu që Ministria e Shëndetësisë, brenda 15 ditëve, t’i raportojë Kuvendit për mungesat e barnave onkologjike gjatë periudhës 1 janar – 22 tetor 2026, numrin e pacientëve të prekur dhe statusin e procedurave të prokurimit.
Rezoluta parasheh edhe krijimin e një mekanizmi të paralajmërimit të hershëm, përcaktimin e stokut minimal rezervë dhe shqyrtimin e mundësisë për rimbursimin e pacientëve që kanë blerë vetë barna për shkak të mungesës së tyre në sistemin publik.
Megjithatë, rezoluta nuk u hodh në votim për shkak të mungesës së kuorumit në Kuvend. Për këtë arsye, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, vendosi që seanca të shkojë në pauzë deri në orën 16:30.