Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Rama propozon përfshirjen e Japonisë në projektin e hekurudhës Durrës–Prishtinë

Gazeta10
17 November 2026 - 18:12

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur interesimin që Japonia të përfshihet në realizimin e projektit strategjik të hekurudhës Durrës–Prishtinë, e cila synon lidhjen hekurudhore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, transmeton KosovaPress.

Rama e ka bërë këtë deklaratë pas një takimi të zhvilluar sot në Kryeministri me një delegacion të gjerë të sipërmarrësve japonezë.

“Sot në Kryeministri me një përfaqësi të gjerë të sipërmarrjes japoneze”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ai ka theksuar se të dyja vendet do ta mirëprisnin përfshirjen japoneze në këtë projekt të rëndësishëm infrastrukturor.

“Shqipëria dhe Kosova do ta mirëprisnin përfshirjen e Japonisë në projektin strategjik të hekurudhës Durrës–Prishtinë”, ka deklaruar Rama.

Hekurudha Durrës–Prishtinë është një projekt strategjik që synon përmirësimin e lidhjeve të transportit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke krijuar mundësi të reja për qarkullimin e udhëtarëve dhe mallrave.

Realizimi i saj pritet të ndikojë në lehtësimin e transportit, zhvillimin e tregtisë dhe forcimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet dy vendeve.

Rama nuk ka dhënë detaje nëse gjatë takimit është diskutuar ndonjë marrëveshje konkrete për financimin apo përfshirjen e kompanive japoneze në realizimin e projektit.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.