Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kryen tetë vjedhje në Fushë-Kosovë, tre të arrestuar për mbi 60 mijë euro dëme

Gazeta10
19 November 2026 - 15:40

Policia e Kosovës, ka njoftuar se ka arrestuar tre persona të dyshuar për kryerjen e së paku tetë (8) rasteve të veprës penale “Vjedhje e rëndë”.

Policia shton se, gjatë muajve tetor dhe nëntor 2026, personat e arrestuar dyshohet të kenë kryer vjedhje të rënda në banesa në Fushë Kosovë, dhe se, bazuar në vlerësimet fillestare, dëmi i përgjithshëm material tejkalon vlerën prej 60,000 eurosh, duke përfshirë para të gatshme, stoli ari, sende me vlerë, si dhe armën zyrtare të një zyrtari policor.

‘’ Me urdhër të organeve të drejtësisë, policia ka kontrolluar katër lokacione, ku ka gjetur dhe sekuestruar: Stoli ari, para të gatshme, një pistoletë, një veturë e dyshuar për përdorim në vepra penale, dy telefona, një sasi e konsiderueshme e substancës së dyshuar si marihuanë etj.’’, ka njoftuar mes tjerash PK’ja.

Komunikata e plotë:

Arrestohen tre të dyshuar për disa vjedhje të rënda , sekuestrohen stoli ari, para dhe një armë zjarri

Pas një hetimi dymujor, Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Fushë Kosovë ka arrestuar tre persona të dyshuar për kryerjen e së paku tetë (8) rasteve të veprës penale “Vjedhje e rëndë”.

Operacioni policor, i filluar më 18 nëntor, rezultoi me arrestimin e tre shtetasve të Republikës së Kosovës: A.B., F.H. dhe M.K.

Gjatë muajve tetor dhe nëntor 2026, personat e arrestuar dyshohet të kenë kryer vjedhje të rënda në banesa në Fushë Kosovë. Bazuar në vlerësimet fillestare, dëmi i përgjithshëm material tejkalon vlerën prej 60,000 eurosh, duke përfshirë para të gatshme, stoli ari, sende me vlerë, si dhe armën zyrtare të një zyrtari policor.

Me urdhër të organeve të drejtësisë, policia ka kontrolluar katër lokacione, ku ka gjetur dhe sekuestruar:

Stoli ari, para të gatshme, një pistoletë, një veturë e dyshuar për përdorim në vepra penale, dy telefona, një sasi e konsiderueshme e substancës së dyshuar si marihuanë etj..

Hetimet e mëtejme çuan policinë te një argjendari në lagjen Dardania në Prishtinë, ku dyshohet se janë shitur stolitë e vjedhura, me ç’rast pronari i saj është shoqëruar në stacion policor. Gjithashtu, në qytetin e Prizrenit është lokalizuar dhe sekuestruar një sasi tjetër ari.

Ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për vjedhje të rëndë, posedim të paautorizuar të armëve dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve. Pas intervistimit personat e arrestuar, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë dërguar ne mbajtje për 48 orë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.