
Aida Doli, sekretare e Lëvizjes Vetëvendosje në degën e Mitrovicës, ka reaguar lidhur me përplasjen që ndodhi sot gjatë seancës së Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut.
Në një lidhje direkte për Gazetën, Doli ka deklaruar se seanca është përcjellë me shumë vëmendje dhe se zhvillimet e sotme i kishte pritur, duke përmendur edhe një mbledhje të mëhershme të Komisionit për Politikë dhe Financa.
Sipas saj, edhe në atë mbledhje, nga ana e PDK-së kishte pasur të njëjtën qasje dhe të njëjtën gjuhë.
Ajo ka thënë se asamblistët e PDK-së, në shenjë revolte, e kanë lëshuar edhe mbledhjen.
Doli e ka cilësuar situatën si të koordinuar, duke theksuar se në rend dite ishin disa çështje të rëndësishme për qytetin e Mitrovicës, por, sipas saj, zhvillimet përfunduan në skena të papranueshme.
“E kam pritur që kjo që ndodhi sot të ndodhte, pasi edhe në mbledhjen e Komisionit për Politikë dhe Financa e njëjta qasje ka qenë nga ana e PDK-së, e njëjta gjuhë. Në shenjë revolte e kanë lëshuar edhe mbledhjen. E shoh si të koordinuar, pasi në rend dite pati gjëra të rëndësishme për qytetin e Mitrovicës, dhe duke mos ditur si të veprojnë, ndodhi kjo që ndodhi, ku pamë skena të papranueshme”, ka deklaruar Doli për Gazetën.