Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Kosova nuk mund të trajtohet pa institucionet e saj”, Bajqinovci reagon pas takimit të KFOR-it me ushtarakë serbë në Prishtinë

Gazeta10
27 November 2026 - 14:07

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetari i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvend, Mefail Bajqinovci, ka reaguar pas njoftimit të KFOR-it për takimin e përfaqësuesve të tij me homologët nga Forcat e Armatosura të Serbisë në Prishtinë.

KFOR-i kishte njoftuar se takimi ishte mbajtur në kampin Film City, duke theksuar se bashkëpunimi ndërmjet dy palëve u tha se bazohet në profesionalizëm dhe respekt të ndërsjellë.

Pas këtij njoftimi, Bajqinovci ka thënë se mekanizmat teknikë të krijuar në vitin 1999 nuk mund të paraqiten sikur e përcaktojnë pozitën aktuale politike të Kosovës.

“Realiteti i Kosovës ka ndryshuar. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, me institucione legjitime dhe përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve të saj”, ka shkruar Bajqinovci në Facebook.

Ai ka theksuar se nuk e vë në dyshim rëndësinë e komunikimit ndërmjet KFOR-it dhe përfaqësuesve ushtarakë serbë për parandalimin e incidenteve, por ka kritikuar mënyrën se si është prezantuar takimi.

“Megjithatë, publikimi i një takimi të tillë me gjuhën e ‘respektit të ndërsjellë’, pa ndjeshmëri ndaj realitetit dhe historisë sonë të afërt, është politikisht i papërshtatshëm dhe i pandjeshëm”, ka shkruar ai.

Bajqinovci ka përmendur edhe çështjen e personave të zhdukur me dhunë dhe krimet e kryera nga forcat serbe, përfshirë varrezat masive.

“Për familjet e viktimave dhe për qytetarët tanë, këto nuk janë çështje të së kaluarës së largët; ato kërkojnë drejtësi, përgjegjësi dhe respekt”, ka theksuar deputeti.

Në fund, ai ka kërkuar që KFOR-i të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme dhe transparente, duke mbajtur komunikim të rregullt me institucionet e Republikës së Kosovës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.