Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Ish-ministri Bogdanoviq: “Lista Srpska” i ka terrorizuar serbët, s’guxonin të blinin në dyqane të shqiptarëve

Gazeta10
28 November 2026 - 14:34

Ish-ministri i Qeverinë së Serbisë, Goran Bogdanoviq, ka deklaruar se në kohët e fundit qytetarët serbë në veri të Kosovës po ndihen më të lirë dhe po guxojnë të shprehin mendimet e tyre pa frikën që, sipas tij, kanë përjetuar më parë.

Në një intervistë ku ka folur nga Leposaviqi, njëra nga katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe, Bogdanoviq ka thënë se situata ka ndryshuar dhe se qytetarët po ndihen më të lirë edhe në jetën e përditshme.

“Gjatë javëve të fundit, më besoni, po mendojmë më lirshëm, po i shprehim më lirshëm mendimet dhe njohuritë tona”, ka thënë Bogdanoviq.

Ai ka sjellë si shembull një market në Leposaviq, që sipas tij është në pronësi të shqiptarëve dhe që më parë bojkotohej nga qytetarët serbë.

“Një market në Leposaviq që e mbajnë shqiptarët ishte bojkotuar fjalë për fjalë. Askush nuk guxonte të hynte aty. Rrallëkush kishte guxim të shkonte për të blerë, edhe pse mallrat ishin të paktën 30-40 për qind më të lira sesa në dyqanet serbe. Ndërsa tani, isha para disa ditësh dhe e dini sa njerëz kishte? Sa shumë njerëz kanë marrë guximin të shkojnë dhe të blejnë”, ka deklaruar ai.

Bogdanoviq ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Listës Serbe, duke e akuzuar këtë subjekt politik për presion dhe terrorizim të qytetarëve serbë në veri të Kosovës.

“Këta njerëz që kanë vepruar këtu, kjo Lista Serbe, janë armiq më të mëdhenj për ne sesa shqiptarët, nëse mund t’i quajmë armiq. Ata i kanë terrorizuar serbët”, ka thënë Bogdanoviq për Radion Evroap e Lirë.

Ai ka përmendur edhe zgjedhjet si shembull të presionit ndaj qytetarëve, duke pretenduar se serbët nga Kosova janë detyruar të udhëtojnë drejt Rashkës në Serbi për të votuar.

“Unë, për shembull, kam pritur pesë orë në një drejtim dhe pesë orë në kthim, kur shkova të votoja në Rashkë, ku ishin vendvotimet për serbët nga Kosova. Duhet ta shihnit atë mjerim. Njerëzit shkonin në këmbë”, ka treguar ai.

Sipas Bogdanoviqit, disa qytetarë i kanë thënë se po merrnin pjesë në votime për shkak të kërcënimeve dhe presionit që u bëhej.

“Kur i pyet disa njerëz: ‘Çfarë ju shtyn?’, ata përgjigjen: ‘Duhet, e di si na kërcënojnë, na kanë telefonuar’. Kur arrin ta detyrosh një qytetar të zakonshëm të shkojë të votojë përmes shantazhit, kjo është problematike. Mund të duket si diçka banale, por nesër e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me vendin e punës”, ka përfunduar ai.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.