
Gjeneralë dhe oficerë të lartë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Festave të Nëntorit.
Homazhet u zhvilluan në shenjë nderimi dhe respekti për sakrificën e familjes Jashari, të Komandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Gjatë këtij aktiviteti u kujtua edhe kontributi i brezave që luftuan dhe u flijuan për atdheun, si dhe rëndësia e ruajtjes së kujtesës historike për ngjarjet që shënuan rrugën e Kosovës drejt lirisë.
Në kuadër të Festave të Nëntorit, u përkujtua edhe dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor 1997, në Llaushë të Skenderajt. Kjo ngjarje shënoi një moment të rëndësishëm në historinë e rezistencës së armatosur dhe të luftës për çlirimin e vendit.
Përmes këtij nderimi, Forca e Sigurisë së Kosovës riafirmoi respektin e përhershëm ndaj historisë së luftës për liri, sakrificës së dëshmorëve dhe vlerave mbi të cilat u ndërtua shteti i Kosovës.