Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Forumi i Paqes, Osmani: Parakusht për paqe të qëndrueshme është përballja me të kaluarën

Gazeta10
11 November 2022 - 16:48

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Forumin e Paqes në Paris, ndër të tjera ka folur për Kosovën ku ka thënë se parakushti për paqe të qëndrueshme është ballafaqimi me të kaluarën duke iu referuar pozicionit të Serbisë, raporton Gazeta10.

Osmani ka thënë se shembulli i Kosovës nënkupton që duhet të bëhemi bashkë për t’i mbrojtur vlerat dhe parimet humane.

 “Mund të mësojmë nga rasti i Kosovës, nga shembulli i Kosovës që fuqia jonë më e madhe qëndron te partneriteti, multilaterizmi funksionon por vetëm nëse bazohet në parime, në rregulla, e me më rëndësi nëse bazohet në vlera. Duhet të bëhemi bashkë, të bëhemi bashkë për të mbrojtur vlerat, parimet që kanë qeniet njerëzore dhe humanitetin duke marrë parasysh, vlerat njerëzore ku ajo për të cilën kujdesemi është më së pari mbrojtja e civilëve, ndalimin e shkatërrimit, këto janë vlerat që na shtynë përpara”, ka deklaruar Osmani.

Tutje, Osmani ka thënë se kur NATO e ndaloi luftën në Kosovë partneriteti i perëndimit ishte i bazuar mbi vlerat e mbrojtjes së viktimës nga agresori.

E njëjta gjë në vitet e ’90-a kur lufta e Kosovës ishte ndalur nga NATO, kur NATO kishte ndalur gjenocidin, ishte e suksesshme sepse partneriteti ynë, partneriteti i vendeve demokratike në botë ishte i bazuar mbi vlerat, vlerat e mbrojtjes së viktimës nga agresori”, ka thënë Osmani.

Në Forumin e Paqes në Paris, më tej Osmani ka thënë se nuk mund të thuhet se të dy palët janë të njejta dhe se në rastin e Ukrainës lufta ka qenë absolutisht e paprovokuar.

“Mësimi që duhet të nxjerrim është që nuk duhet të biem në kurthin e kësaj lojës-të dyja palët janë të njëjta. Sepse dëgjojmë shumë deklarata se si të dyja palët e provokojnë njëra tjetrën ose të dyja palët kanë faj për një luftë që ka qenë absolutisht e paprovokuar ndaj Ukrainës. Asnjëherë nuk do të duhej të përdorej kjo qasje e të dy palëve kur ka agresor të qartë e viktimë të qartë, siç kemi parë në luftërat e ish Jugosllavisë dhe siç e shohim sot edhe në luftën ruse ndaj Ukrainës”, ka thënë presidentja Osmani.

Më tej, Osmani ka thënë se për paqe afatgjate, fillimisht duhet ballafaqimi me të kaluarën, pastaj drejtësia.

“Gjëja e tretë që kemi mësuar është se ajo që është e detyrueshme, obligative, parakusht për paqen afatgjatë është ballafaqimi me të kaluarën dhe pastaj drejtësia. Shumë njerëz flasin për përvojën midis Francës dhe Gjermanisë si mësim që duhet ta marrim, dhe pajtohem, por Gjermania ka bërë shumë në këtë drejtim, ka paguar një çmim të lartë për krimet që janë kryer gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe ende është duke paguar, asnjëherë Gjermania nuk i ka mohuar krimet e veta”. / Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.