Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Gjykata Kushtetuese rrezikon të mbetet pa kuorum

Gazeta10
20 November 2022 - 19:39

Raporti: Arza Kastrati / Kanal10

Kuvendi i Kosovës javën e ardhshme për herë të katërt do të tentojë të zgjedhë dy gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese. Procesi i përzgjedhjes kishte dështuar tri herë radhazi. Partitë opozitare e akuzojnë partinë në pushtet se derisa nuk po gjejnë njerëz të vet për t’i zgjedhur në kushtetuese, qëllimshëm po e dështojnë procesin. Nga Vetëvendosje thonë se rishpallja e konkursit nuk ka sjell numër të madh të aplikantëve, shkruan Kanal10.

Pas tri dështimeve, Kuvendi i Kosovës javën e ardhshme për herë të katërt do të tentojë të zgjedhë dy gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.

Megjithatë, partitë opozitare e akuzojnë partinë në pushtet se derisa nuk po gjejnë njerëz të vet për t’i zgjedhur në Kushtetuese, qëllimshëm po e dështojnë procesin.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se  shumica parlamentare s’ka pasur vullnet për t’i dhënë përkrahje kandidatëve që janë mbi partiak, megjithëse aktualisht Gjykata Kushtetuese funksionon me minimumin e saj për të pasur kuorum.

Kritik për këtë proces është shprehur edhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

Ai ka thënë se tri dështimet e Kuvendit për të zgjedhur dy gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese, janë si rezultat i papërgjegjësisë së deputetëve të shumicës parlamentare.

Edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po e prishë procesin.

Në anën tjetër, shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se rishpallja e konkursit për procesin e zgjedhjes së dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese nuk ka sjell numër të madh të aplikantëve.

Në seancën e javës së ardhshme kandidatët që do t’i paraqitet Kuvendit për votim janë, Bardh Bokshi, Dukagjin Abdyli, Enver Peci, Flamur Mrasori dhe Valon Hasani.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.