Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Vërshime e përmbytje në disa rajone të Kosovës

Gazeta10
20 November 2022 - 19:29

Raporti: Gresa Bardhecaj / Kanal10

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme si dhe dëme të mëdha në disa komuna. Gjendja më e rëndë është theksuar në Mitrovicë, Deçan dhe Podujevë, ku për pasojë disa lumenj kanë dal nga shtretërit, derisa qarkullimi është vështirësuar në disa rajone tjera, shkruan Kanal10.

Si pasojë e reshjeve të shumta të shiut që kanë filluar nga mesnata kanë shkaktuar vërshime dhe përmbytje në shumë komuna të vendit.

Shumë rrugë janë bërë vështirë të qarkullueshme, derisa uji ka depërtuar edhe në oborre të shtëpive.

Sipas kryetarit të komunës së Mitrovicës situata është e rënduar dhe dëmet janë të konsiderueshme.

Reshjet kanë prekur edhe komunën e Podujevës, ku disa fshatra janë përmbytur, kurse edhe lumi Llap ka dalë nga shtrati, me ç’rast është bllokuar edhe rruga.

“Reshjet e dendura të shiut në shumë fshatra të Podujevës ka krijuar vërshime, fshatrat më të prekura nga vërshimet janë fshatrat Pakashticë, Peran, Dobërdol dhe Bajçinë. Vërshimet kanë shkaktuar dëme në ekonomi familjare dhe në toka bujqësore, por nevojitet edhe pak kohë të evidentimit real të gjendjes së shkaktuar nga shiu i pandërprerë dy ditët e fundit në Podujevë‘, tha Fatri Zhitia – Zëdhënës në Komunën e Podujevës.

Situatë emergjente nga reshjet është krijuar edhe në komunën e Deçanit.

“Si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut është gjendje e rënduar në disa vendbanime të komunës së Deçanit, ku janë shkaktuar vërshime, prandaj ju lutem të keni kujdes në rast të qarkullimit nëpër fshatin Baballoq, ndërsa ura në fshatin Vranoc të Vogël është e pakalueshme për shkak të dëmtimeve të mëdha“.

Nga reshjet e shumta janë prekur edhe Istogu, Peja dhe Malisheva, mirëpo sipas kryetarëve të këtyre komunave, situata është e menaxhueshme.

Edhe ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka vizituar disa komuna pas dëmtimeve që kanë shkaktuar reshjet.

“Me vëmendje po përcjellim situatën me vërshime pas reshjeve të shumta të shiut. Me disa Kryetarë të Komunave kam biseduar lidhur me situatën aktuale, gjithashtu kam vizituar disa nga lokacionet të cilat kanë pësuar dëme si ura në Vranoc e cila lidh Pejën dhe Deçanin e cila është dëmtuar si pasojë e vërshimeve“.

Kurse, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se autoritetet zyrtare janë duke e monitoruar pandërprerë situatën në terren.

Ai ka thënë se FSK-ja, në secilën situatë emergjente, është e gatshme të ofrojë ndihmën e nevojshme.

Ndërkaq, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar e reshjet e shiut pritet që të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, derisa reshje më të theksuara do të jenë nëpër disa pjesë të Kosovës, sidomos në Dukagjin.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.