Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

PDK: Të hiqen barrikadat, marrëveshja finale të rezultojë me njohje të ndërsjellë

Gazeta10
13 December 2022 - 17:42

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka ftuar sot në një mbledhje të përbashkët Kryesinë dhe Grupin Parlamentar të PDK-së për të diskutuar për zhvillimet e fundit në vend.

Me theks të veçantë, në këtë mbledhje u diskutua për gjendjen në pjesën veriore të vendit, vendosjen e barrikadave, nevojën e veprimeve të përgjegjshme dhe konkrete të Qeverisë, si dhe domosdoshmërinë e partneritetit me aleatët ndërkombëtarë.

“PDK fton bashkësinë ndërkombëtare që në mënyrë të prerë jo vetëm ta dënojë propagandën e Presidentit dhe shtetit serb, por të marrë hapa konkret që Serbinë ta shkëpusë nga këto tendenca dhe iluzione pushtuese. Territori i Republikës së Kosovës është një dhe i paprekshëm. Nuk mundet dhe nuk do të ketë krijim të një realiteti të ri në pjesën veriore të Kosovës.Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se normalizimi i kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme të krijuar në pjesën veriore të Kosovës nuk mund të tolerohet. Barrikadat duhet të hiqen pa asnjë vonesë. Në këtë pikë, nuk duhet të ketë zmbrapsje. Koha është për reagim shtetëror! Koha është për rikthim të normalitetit dhe garantim të sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës në këtë pjesë të shtetit tonë. Barrikadat nuk guxojnë të kthehen në përditshmëri të re. Heshtja, injorimi dhe qëndrimi në vend nuk duhet të jetë zgjidhje për Qeverinë. Kompromiset e mëtutjeshme, jo e jo”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Tutje në komunikatë PDK-ja ka thënë se ata e vlerësojnë lartë punën e KFOR-it dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare.

“PDK vlerëson lartë rolin dhe kontributin e KFOR-it dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare për të ruajtur paqen dhe sigurinë në Kosovë, por, megjithatë, në situatën aktuale, reagimi institucional shtetëror, konform ligjeve dhe kushtetutës tonë, është i pazëvendësueshëm”, thuhet në njoftim./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.