
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se Policia e Kosovës i posedon të gjitha kapacitetet e nevojshme për heqjen e barrikadave serbe të vendosura në pikat kufitare.
Ai në një konferencë për media tha se barrikadat kanë humbur arsyen e vendosjes dhe Serbia po i shfrytëzon ato “për bllokim të veprimeve ligjore të Kosovës”.
Ndërsa, tha se kërkesa e serbëve për lirimin e ish-policit serb Dejan Pantiq është e papranueshme.
Sveçla u shpreh se ish-polici serb, Dejan Pantiq, që u arrestua ditë më parë, po vazhdon të mbahet në një stacion policor afër Jarinjës.
Ai tha se gjendja shëndetësore e Pantiqit është e mirë dhe ka trajtimin e duhur.
Ai shtoi se Pantiq do të duhej të ishte në qendrën e paraburgimit e jo të mbahej në stacion policor, e për këtë thotë se kanë dorëzuar kërkesë tek ndërkombëtarët për transferimin e Pantiq në qendrën adekuate për mbajtje të paraburgimit.
“Kërkesa për lirimin e Pantiqit është e papranueshme. Gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe ka trajtimin e duhur. Ai do të duhej të ishte në qendrën përkatëse për mbajtje e jo në stacionin policor. Lidhur me këtë kemi dorëzuar kërkesë tek ndërkombëtarët për transferimin e tij në qendrën adekuatë për mbajtje të paraburgimit”.