
Raporti: Gresa Bardhecaj
Edhe në vitin 2022, pjesa veriore është karakterizuar me shumë tensione e trazira mes palës kosovare dhe serbe.
Në tentativë për të larguar targat ilegale serbe, Qeveria e Kosovës filloi zbatimin e vendimit për riregjistrimin e veturave me targa ilegale dhe konvertimin e tyre në RKS, duke u dhënë fillimisht afat dy muaj serbëve lokalë për zëvendësimin e tyre.
Nga vendimi Qeveria nuk u tërhoq, por vetëm e përshkallëzoi atë duke e ndarë atë në tri faza, të shqiptimit të fletëqortimeve, të shqiptimit të gjobave dhe faza e tretë të targave provuese.
Megjithatë, pas aplikimit të fazës së parë, në prag të aplikimit të fazës së dytë, vendimi u refuzua të zbatohet nga policët serbë në veri, për çka këta të fundit edhe dhanë dorëheqje.
Por, dorëheqje nuk dhanë vetëm policët, por të gjithë përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës, duke i lënë pozitat bosh.
Pas shumë tentimeve me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për targat.
Për të zgjidhur situatën në veri, priteshin të mbaheshin edhe zgjedhjet për kryetar në katër komunat veriore.
Derisa po bëheshin përgatitjet për të filluar procesin zgjedhor, filloi kriza tjetër në veri kur serbët lokalë sulmuan zyrtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut.
Pas arrestimit të dyshuarit për këtë sulm, Dejan Pantiq, serbët filluan rezistencën e tyre, duke kundërshtuar arrestimin e tij, duke bllokuar rrugët që të shpijnë në pikat kufitare, e duke vendosur barrikada, të cilat qëndruan nëpër rrugët e pjesës veriore pothuajse tri javë.
Gjatë kësaj periudhe, u sulmuan me mjete të ndryshme ata që qëndruan në vijën e parë të frontit, policët e gazetarët, trupa të EULEX-it dhe KFOR-it.
Pas ndryshimit të masës së paraburgimit në arrest shtëpiak të Dejan Pantiq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbajti një takim me serbët lokal, nga ku edhe u paralajmërua heqja e barrikadave nga rrugët e veriut.
Vetëm pak orë pas këtij takimi, barrikadat filluan të hiqeshin dhe rrugët për në pikat kufitare u liruan.
Zgjidhje problemit të veriut synohet t’i bëhet nga procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat pritet të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2023.