
Sot shënohet përvjetori i 39 i rënies së dëshmorëve të kombit, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha.
Në një postim në rrjetet sociale, hulumtuesi Fitim Salihu ka përfolur një ese të studentit Nuhi Berisha nga libri i tij i kujtimeve “Pranvera e luleve të kuqe”. Aty, Berisha, evokonte pjesëmarrjen e tij në demonstratat e pranverës 1981.
Postimi i plotë:
Në librin e tij të kujtimeve, studenti Nuhi Berisha, në një ese të titulluar “Pranvera e luleve të kuqe”, evokon pjesëmarrjen e tij në demonstratat e pranverës 1981 dhe shkruan: “Këtë pranverë po e quaj Pranverë e Luleve të Kuqe, lule që kurrë nuk do të thahen por do të qëndrojnë ashtu të njoma gjithmonë”.
Më pak se tre vjet më pas, vetë ai dhe shoku i tij, Rexhep Mala, do të bëheshin “lule që kurrë nuk do të thahen por do të qëndrojnë ashtu të njoma gjithmonë”.
Sikur sonte 39 vjet më parë, teksa po ngryste nata e 11 janarit 1984, në Kodrën e Trimave në Prishtinë, duke luftuar me policinë jugosllave, ranë dëshmorë dy veprimtarët e Lëvizjes Popullore të Kosovës (asokohe LRSShJ), Rexhep Mala 33 vjeç dhe Nuhi Berisha 23 vjeç. Lavdi!
