
Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10
Dialogu Kosovë-Serbi ishte temë kyçe të enjten mes kryeministrit Albin Kurti dhe kancelarit austriak,Karl Nehammer. Kurti i cili po qëndron në vizitë zyrtare në Austri ritheksoi se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk është në frymën e kushtetutës së vendit. Ndërsa, ai tha se dialogu me Serbinë duhet të prodhojë një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve. Ndërkaq kancelari Nehammer u shpreh se Austria do të shërbejë si urë lidhëse për të dy palët që të arrihet kompromisi, shkruan Kanal10.
Kryeministri Albin Kurti po qëndron në vizitë zyrtare në Austri, atje ku bashkë me kancelarin austriak, Karl Nehammer diskutuan për dialogun Kosovë-Serbi e rrugëtimin euro-atlantik të vendit.
Pas takimit, Kurti tha se dialogu me Serbinë duhet të prodhojë një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, dhe se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mund të adresohet në diskutimet për këtë marrëveshje.
Mirëpo, i pari i ekzekutivit u shpreh se formimi i tij nuk është në frymën e Kushtetutës së Kosovës.
“Sipas Kushtetues së Kosovës, që i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe dhe që është përpiluar nga Marty Ahtisaari dhe Albert Rohan, në frymën e saj nuk lejon Asociacion një etnik. Fjalia e parë e atij plani që është hartuar nga ta thotë që Kosova duhet të jetë multietnike dhe thotë se asociacionet apo institucionet monoetnike nuk janë në frymën e atij plani apo Kushtetutës sonë. Megjithatë, ne ofrojmë garancitë dhe të drejtat më të mëdha për të gjitha pakicat. Jam shumë i angazhuar në këtë drejtim, por pa e nënvlerësuar kushtetutshmërinë e vendit tonë”, tha Albin Kurti – Kryeministër i Kosovës.
Kurti foli edhe për situatën në veri të vendit, derisa përmendi se kanë shprehur interesimin që në Kosovë të ketë më shumë ushtarë të KFOR-it.
Ndërsa, kancelari, Karl Nehammer, tha se Austria do të shërbejë si urë lidhëse për Kosovën e Serbinë që të arrihet kompromisi.
Ai po ashtu u shpreh se përkrahin thirrjen e Kosovës për shtim të trupave të KFOR-it.
“Të dyja shtetet duhet të gjejnë një lloj mënyre që të ballafaqohen me njëri-tjetrin dhe të krijojnë një të ardhme prosperuese dhe paqësore. Është me rëndësi që partnerët ndërkombëtar të lënë aq hapësirë që dy shtetet mund të vendosin se sa larg duan të shkojnë në negociatat e tyre. Njëkohësisht është shumë e rëndësishme dhe Austria do të jetë gjithmonë e gatshme të ndihmojë që të ofrojë përkrahje ku për arsye të ndryshme nuk mund të gjendet kompromisi në atë moment”, tha Karl Nehammer – Kancelar i Austrisë
Përveç që ofroi përkrahje për procesin e dialogut me Serbinë, Austria shprehu edhe mbështetjen karshi Kosovës për perspektivën euro-atlantike. /Gazeta10