Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Mitrovica e Skënderaj shpallin gjendjen e jashtëzakonshme, evakuohen disa familje

Gazeta10
19 January 2023 - 20:08

Raporti: Viola Korça / KANAL10

Komuna e Mitrovicës dhe ajo e Skënderajt kanë shpallur gjendjen emergjente si pasojë e vërshimeve nga reshjet e dendura të shiut, derisa gjendje e rëndë paraqitet të jetë edhe në komunat tjera. Si pasojë e vërshimeve një numër i madh i qytetarëve thuhet se janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, derisa është bërë thirrje që të shmangen daljet e panevojshme.

Komuna të ndryshme u vërshuan gjatë së enjtes si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, derisa ajo e Mitrovicës dhe Skënderajt shpallën gjendjen emergjente.

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza njoftoi se kanë evakuuar një numër të madh të qytetarëve.

Ndërsa, edhe nga Komuna e Skënderajt njoftuan se kanë bërë evakuuimin e disa qytetarëve të cilët kanë qenë të ngujuar në shtëpitë e tyre.

E si pasojë e reshjeve të shiut, biznesi i Shaban Nikcit nga fshati Vitomericë i Pejës, u vërshua përsëri.

Derisa nga vërshimet një muaj më parë i ishin shkaktuar dëme mbi 10 mijë euro, të njëjtat tani thotë se kapin vlerë edhe më të lartë.

Përveç në fshatin Vitomericë, gjatë së enjtes vërshime pati edhe në fshatin Leshan, atje ku uji depërtoi brenda shumë shtëpive.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Pejë, Agron Nikçi ka thënë se këtë herë vërshimet nuk kanë ardh nga lumi “Lumbardhi”, por nga disa kanale të vogla.

Ndërsa, ai tha se situata arriti të menaxhohej.

Vërshime si pasojë e reshjeve të shiut pati edhe në komunat tjera, si në atë të Podujevës, Istogut e Klinës.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njoftoi se vërshime mund të ketë edhe gjatë ditëve në vijim.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.