
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas sulmit të sotëm me armë ndaj një patrulle të policisë në Zveçan, duke thënë se grupet kriminale serbe të mbështetura nga Serbia, po synojnë të krijojnë një atmosferë frike dhe pasigurie.
Sveçla tha se qëllimi i tyre përfundimtar është ta bëjnë veriun një zonë të paligjshme, të drejtuar nga kriminelët, raporton Gazeta10.
“Sërish patrulla e Policisë së Kosovës është qëlluar me armë zjarri. Grupet kriminale të mbështetura nga Serbia synojnë të krijojnë një atmosferë frike dhe pasigurie duke synuar zbatimin e ligjit. Qëllimi i tyre përfundimtar: ta bëjnë veriun e Kosovës një zonë të paligjshme, të drejtuar nga kriminelët. Përpjekjet e tyre përfundimisht do të dështojnë”, shkroi ministri në Twitter./Gazeta10