
Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10
Kosova do ta pranojë planin franko-gjerman, pasi që kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se një dokument i tillë është hap i rëndësishëm për procesin e dialogut. Këto komente, ai i ka bërë pas takimit me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak, i cili ka qëndruar të hënën në Kosovë. Emisari evropian ka thënë se Kosova duhet t’i zbatojë të gjithë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel. Ndryshe, Kurti gjatë ditës ka takuar edhe ambasadorët e QUINT-it.
Drekat dhe darkat ndërmjet kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe zëvendësit të tij, Besnik Bislimi me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, janë shpeshtuar ditëve të fundit.
Një drekë pune, në një nga hotelet në periferi të kryeqytetit, është zhvilluar edhe të hënën, pasi që për vizitë në Prishtinë ka qëndruar diplomati sllovak.
Pas drekës që ka zgjatur mbi dy orë, Lajçak ka thënë se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të zbatohen.
Ai ka thënë se në vizitën e 10-të të tij në Prishtinë që nga shtatori i vitit të kaluar, po punohet për përgatitjen e një takimi konstruktiv në nivelin më të lartë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq.
I dërguari i BE-së ka folur edhe për gjashtë kushtet e Kurtit për asociacionin.
“Ne diskutuam për këtë çështje dhe e njoftova Kryeministrin për qëndrimin tonë, por nuk dua tani të bëj publike ndonjë analizë juridike, mendoj se ishte e dobishme që e bëmë këtë diskutim këtu. Ajo që unë dua ta përsërisë është se gjithçka që është rënë dakord në dialog duhet të zbatohet, ngase kështu do të ndërtohet normalizimi”.
Për takimin me Lajçak, nuk është deklaruar para mediave kryeministri i vendit, Albin Kurti, por ai në një status në rrjetin social Tëitter, ka thënë se Kosova e pranon planin franko-gjerman.
“Një bisedë e mirë me të dërguarin special të BE-së, Miroslav Lajçak, gjatë një dreke pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë si bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe një platformë solide për të ecur përpara.”
Paraprakisht, kreu i ekzekutivit gjatë së hënës është takuar edhe me ambasadorët e shteteve të QUINT-it, ku përmes një komunikate për media, është bërë e ditur se temat kryesore kanë qenë procesi i dialogut dhe propozimi evropian.
“Kryeministri Kurti i njoftoi ata me qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës përfshirë këtu edhe gjashtë pikat e prezantuara në Seancën e Kuvendit javën e kaluar në lidhje me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Ndër të tjerash, ai tha se Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj për dialog përmes qasjes konstruktive dhe propozimeve kreative.”, Qeveria e Republikës së Kosovës.
Që nga janari i këtij viti, vizitat e zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë dhe emisarëve evropianë e amerikanë janë shpeshtuar në masë të madhe, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë epilog procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Javën e kaluar, kryeministri Kurti ka bërë të ditura gjashtë kushtet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pa të cilat ai ka thënë se nuk do të krijohet një mekanizëm i tillë.