
Raporti: Kanal10
Krerët e institucioneve të Kosovës, partive opozitare e qytetarë, kanë shprehur ngushëllime dhe gatishmëri për ta ndihmuar popullin dhe shtetin turk, pas tërmetit shkatërrues që goditi këtë shtet mëngjesin e së hënës, i cili la mijëra të vdekur dhe të plagosur. Me këtë rast, liderët institucionalë i kanë ofruar Turqisë mbështetjen e pa rezervë, me të gjitha kapacitetet e FSK-së.
Mijëra persona kanë humbur jetën si pasojë e një tërmeti të fuqishëm që goditi Turqinë dhe Sirinë, mëngjesin e së hënës.
Në shenjë përkrahje dhe solidarizimi me popullin turk dhe sirian, kanë reaguar edhe liderët shtetërorë dhe opozitarë të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngushëlluar shtetin dhe popullin turk, derisa ka shprehur gatishmërinë për të ofruar ndihmën e nevojshme për ta përballuar këtë gjendje të rëndë.
“Ngushëllimet më të thella për të gjitha jetët e humbura dhe i uroj shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve. Solidaritet i plotë me popullin e Turqisë. Republika e Kosovës është gati të ofrojë mbështetjen e nevojshme edhe nëpërmjet FSK-së.”, është shprehur Vjosa Osman – Presidente e Kosovës.
Ngushëllime për viktimat e tërmetit në Turqi, ka shprehur edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
“Në këto çaste të vështira e tronditëse, zemrat tona të thyera janë me familjet e viktimave të tërmetit dhe lutemi për shërimin e të lënduarve. Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim i shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin popullit turk, Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, Asamblesë së Madhe Kombëtare dhe Presidentit të saj, Mustafa Şentop.”, ka shkruar Glauk Konjufca – Kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për mbështetjen e shtetit dhe popullit turk.
“Me dhimbje të madhe morëm lajmin për tërmetin që goditi Turqinë dhe Sirinë, ku humbën jetën shumë qytetarë dhe u shkaktuan dëme të mëdha materiale. Raportet e para tregojnë për pasoja jashtëzakonisht të mëdha në njerëz dhe në objekte banimi. Republika e Kosovës dhe populli i Kosovës në këto çaste të vështira janë në gatishmërinë më të lartë për mbështetje dhe solidaritet.”, tha Albin Kurti – Kryeministër i Kosovës.
Ndërsa, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, i ka shprehur homologut të tij turk, gatishmërinë e plotë të FSK-së, që të ofrojnë ndihmë me të gjitha kapacitet profesionale për reagim, kërkim-shpëtim dhe rimëkëmbje në zonat e prekura.
Të tronditur me pasojat e këtij tërmeti janë shprehur edhe liderët e partive opozitare në Kosovë, si dhe qytetarë të shumtë, duke ofruar gjithë gatishmërinë për t’i dal në ndihmë Turqisë, pas tërmetit shkatërrues.