Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

‘JO’ marrëveshjes pa njohjen reciproke brenda, çfarë kushtesh kanë partitë opozitare

Gazeta10
07 February 2023 - 18:58

Raporti: Bleona Dallaveraj

Opozita ka hedhur kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti, i cili po i ndërron qëndrimet karshi Serbisë. Pas pranimit të planit franko-gjerman, nga opozita kanë hedhur kritika ndaj kreut të ekzekutivit kosovar. Partitë opozitare kanë thënë se Kosovës nuk i duhet një plan që brenda nuk e ka njohjen reciproke. Ndërkaq, analistët presin që së shpejti të ketë marrëveshje ndërmjet të dyja vendeve.

Mungesë të transparencës nga ekzekutivi i vendit e kanë cilësuar partitë opozitare, rrjedhën e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Deputetët e opozitës kanë hedhur kritika ndaj kryeministrit të vendit, Albin Kurti, pasi ai ka deklaruar se e pranon planin franko-gjerman.

Por, nga opozita kanë thënë se ata nuk kanë asnjë informatë për përmbajtjen e këtij plani, derisa e kanë akuzuar shefin e ekzekutivin se vazhdimisht po i ndryshon qëndrimet karshi Serbisë.

Ata kanë thënë se një plan i tillë nuk duhet të pranohet nga Kosova, pasi ai nuk e ka njohjen reciproke brenda.

Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka thënë se Kosovës nuk i duhet një marrëveshje bazë që nuk përmban njohjen.

“Çdo devijim nga ky orientim strategjik është përgjegjësi e pariparueshme e Qeverisë aktuale. LDK, po ashtu, kërkon raportim të kryeministrit në Kuvendin e Kosovës mbi procesin e dialogut. Injorimi i institucionit të përfaqësuesve të popullit nuk i jep legjitimitet asnjë procesi jetik për vendin.”, deklaroi Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndërkaq, pas pranimit të planit franko-gjerman, njohës ttë zhvillimeve politike presin që Kosova dhe Serbia së shpejti të arrijnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve.

Madje, ata thonë se në këtë marrëveshje do të përfshihet edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pranimi i planit franko-gjerman dhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka qenë kërkesa e vazhdueshme që faktori ndërkombëtar ka bërë ndaj Kosovës, kohëve të fundit.

Për këtë, që nga fillimi i këtij viti, një mori vizitash janë zhvilluar në Kosovë dhe në Serbi nga zyrtarë të lartë të shtetit amerikanë dhe emisarë evropianë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
14 October 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.