
Futbollistja me prejardhje shqiptare, Kosovare Asllani do të qëndrojë për vizitë në Kosovë më 17 shkurt.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ku gjatë ditës së enjte priti në takim ambasadorin e Suedisë, Jonas Westerlund.
Asllani pritet të vijë në Kosovë në ditën e pavarësisë me mision të UNICEF-it.
Reprezentuesja e Suedisë është ambasadore e shpresës së mirë të UNICEF-it dhe do të jetë në Kosovë më 17 shkurt.
UNICEF-i, bashkë me Ambasadën Suedeze dhe FFK-në do të organizojnë pritjen për futbollisten e Kombëtares suedeze, e cila luan për skuadrën e Milanit.
33-vjeçarja ka pasur një karrierë të bujshme si futbolliste, ku ka luajtur në skuadrat si, Real Madrid, Paris Saint-Germain, Manchester City dhe aktualisht luan për Milanin.
Asllani është pjesë e kombëtares suedeze që nga viti 2008, dhe me këtë kombëtare ka marrë pjesë në Kampionatin Botëror dhe në Lojërat Olimpike.