
Shoqata e Studentëve të Diplomuarve në Turqi (TUMED), ka filluar një fushatë donacioni për mbështetjen e viktimave të tërmeteve që goditen Turqinë dy javë më parë, raporton Gazeta10.
Kjo shoqatë ka thënë se në bashkëpunim me Telekomin e Kosovës do të mundësohet realizimi i donacionit, ku kontributdhënësit ndihmën e tyre mund ta dhurojnë përmes sms, që do të kenë një shumë simbolike prej një euro.
“Me anë të kësaj fushate, shoqata jonë ka siguruar bashkëpunimin dhe mbështetjen nga Telekomi i Kosovës, që do të mundësoj realizimin e kësaj donacioni të dhurimit për përkrahjen me SMS në Republikën e Kosovës e cila planifikohet të jetë një shumë simbolike prej një (1) euro.”, thuhet në njoftimin e TUMED-it.
Tutje, kjo shoqatë ka njoftuar se mjetet e grumbulluara do të dhurohen direkt në institucionet shtetërore turke.
“Mjetet e grumbulluara do të dhurohen drejtpërdrejtë në institucionin shtetëror Turke, AFAD – Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave. Ju njoftojmë që TUMED dhe Telekomi i Kosovës nuk do të jenë përfitues financiar nga ky donacion.”, përfundon njoftimi i tyre.
Kujtojmë se tërmetet e 6 shkurtit në Turqi dhe Siri kanë lënë të vdekur mbi 40 mijë persona, ndërkohë që sipas OKB-së si shkak i kësaj fatkeqësie natyrore janë prekur rreth 9 milionë njerëz në dyja vendet, duke mbetur pa vendbanime ose lëndime të rënda./Gazeta10
