
Safet Gerxhaliu, njohës i ekonomisë, i ftuar në edicionin e sotëm të emisionit “Info10”, duke folur për paralajmërimet e ngritjes së çmimit të energjisë elektrike nga ZRRE-ja ka deklaruar se kjo është një situatë mjaftë shqetësuese që po godet qytetarët dhe ekonominë e Kosovës.
“Ky paralajmërim është një barrë e re për qytetarët e Kosovës dhe do të këtë efekt mjaft negativ edhe në ekonomi”, ka thënë Gerxhaliu.
Sipas tij një vendim i tillë është një eksperiment i rrezikshëm për ekonominë e vendit tonë.
Gerxhaliu tutja ka thënë se është utopike të mendohet stabiliteti politik pa stabilitet ekonomik andaj edhe ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të këtë dialog me sektorin privat në tejkalimin e kësaj situate.
Tutje ai ka thënë se ky vendim është grusht direkt në sektorin privat, është një paradoks sepse me ngritjen e çmimit të energjisë do të këtë edhe ngritje të produkteve.
Gerxhaliu ka thënë po ashtu se brenga më e madhe e tij mbetet që një ngritje e tillë e çmimit të energjisë do të ndikojë në varfërimin e qytetarit dhe kështu Kosova po mbetet pa rini. /Gazeta10/