Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun, ka sqaruar arsyen se pse PSD ka vendosur të mos garojë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Molliqaj ka sqaruar se arsyeja se pse PSD nuk po kandidon në zgjedhje është për shkak se nuk e ka mbështetjen për ta kaluar pragun.
“E thjeshtë është për ne, nuk e kemi mbështetjen për me kalu pragun”, ka thënë ai.
Molliqaj ka thënë se sondazhet kanë treguar se mbështetja e qytetarëve ka dalë vetëm 2% dhe jo 5% sa për të kaluar pragun.
“Absolutisht po kemi bërë matje. Jemi ma shumë se 2% po jemi larg 5%”, ka thënë Molliqaj.
I pyetur nga gazetari Sadiku se pse nuk u bashkuan për koalicione me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në për zgjedhjet e 9 shkurtit, Molliqaj ka thënë se vendimi për mosbashkëpunim ka qenë i qartë për PSD-në qysh para një viti.
“Na punën e koalicioneve e kemi nda para një viti e më shumë, pasi kemi thanë që nuk hyjmë në asnjë koalicion me asnjë parti opozitare”, ka thënë Molliqaj.
Për më tepër, ai ka theksuar se nuk kanë gjetur arsye për të bërë kompromise dhe koalicione me partitë e tjera.
“Nuk besoj që Kuvendi i Kosovës do të ishte shumë ndryshe me Dardan Molliqaj me një ose dy ose tre të tjerë të PSD-së… Por pa mbështetje politike nuk bëhet”, ka thënë ai.
Analisti politik dhe njëherësh gazetari, Viktor Buzhala, ka pasur kritika për PSD-në, e cila është tërhequr dhe nuk ka kandiduar për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në debat me kryetarin e PSD-së, Buzhala ka thënë se opozita e vërtetë duhet të jetë ndryshe, teksa këta të fundit i ka quajtur si imitim i Vetëvendosjes së mëhershme.
“Opozita e vërtetë bëhet ndryshe, tu i kallëzu popullit që unë jam alternativa. Për secilin problem tu ia ofru alternativën e jo kritikën”, ka thënë Buzhala.
Buzhala ka thënë se Partia Socialdemokrate ka pasur hapësirë të mjaftueshme për të ofruar një platforme për zgjedhjet e shkurtit.
“Këta e kanë vendos me e lujt rolin e analistave dhe jo të ofrimit të një platforme, jo të një alternative”, ka thënë Buzhala.
Nga ana tjetër, një debat i fortë është zhvilluar mes kreut të PSD-së, Dardan Molliqjat dhe komentatores politike, Fatime Hajdari lidhur me Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Në emisionin “Politiko” me Kushtrim Sadikun në Kanal 10, Hajdari e Molliqaj nuk janë pajtuar me faktin se kush duhet të ndiqet nga kjo byro.
“Pse është kriter për ty i pranueshme kushdo që ka marrë rrogë një muaj të futet nën hetim”, ka pyetur Molliqaj.
Derisa Hajdari ka qenë e ashpër në përgjigjen e saj, ajo është shprehur se kushdo që paguhet nga shteti duhet të kalojë në filtra.
“Kushdo që paguhet nga shteti duhet të kalojë në filtra, pse duhet të shqetësohemi as ti as unë as secili që ka punuar dikur, ata që e dijnë si kanë vepruar në të kaluarën duhet të ndihen të cenuar, sepse diku duhet të fillohet”, ka thënë Hajdari.
E Molliqaj është shprehur i habitur me deklaratën e saj, teksa ka cilësuar atë si “argument të frikshëm”.
Megjithatë, përplasjet nuk kanë munguar as për tema të tjera.
Teksa po kritikonte qeverinë për korrupsion, Molliqaj ka theksuar se një zyrtar i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i ka dërguar vetes 100 mijë euro në bankë, ndërsa ka theksuar se e njeh që nga koha kur ka qenë në VV, por që është kundërshtuar nga komentatorja Hajdari.
“Ju e keni pa që zyrtari i tyne që dul në Ministrinë e Planifikimit Hapësinor i cili i kish çu 100 mijë euro në bankë, i cili katër banesa i kish ble për një vjet, le të na kallëzon se nashta ia kanë çu vllaznit”, ka thënë Molliqaj.
“Zyrtari i tyre është zyrtar shtetëror i cili është punësuar në vitin 2016 nëse nuk gaboj”, ka thënë Hajdari.
“Unë e njoh, s’ki nevojë me më fol. Jam kanë në VV dhe e njoh mirë ata. Ai është zyrtar i VV-së dhe iu ka dhanë pozita e drejtorit”, e ka ndërprerë Molliqaj.
“Ti qe je më shumë Vetëvendosje nuk ta marr dot”, ka thënë Hajdari.
“E çuditshme me mbrojt një njeri që as VV nuk po e mbron”, ka thënë Molliqaj.
Tutje, përplasjet vazhduan edhe për dyshimet për korrupsion për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
“Këtu e kishi pasë problem ju kur kanë vjedhur komandantat, ushtarët e UÇK-së dhe njerëzit e pashkollum se kur po vjedh ky ambasadori atje miliona…”, ka thënë Molliqaj.
Nga ana tjetër, Hajdari ka këmbëngulur se për ambasadorin Berisha nuk ka aktakuzë dhe se nuk mund të ketë akuza të tilla duke u bazuar në një lajm.
Megjithatë, debati mes tyre eskaloi kur u përmend koodinatorja e VV-së.
Ka qenë komentatorja Hajdari, e cila ka thënë se Dejona Mihali ka qenë aktiviste e moçme e LVV-së.
“Kush të ka thanë ty që Dejona është aktiviste e moçme? Qysh qenka ndër të parët e VV-së kur partia është krijuar në të 2005-ën, ajo ka ardhur në 2008-ën?”, ka pyetur Molliqaj.
“Tri-katër vjet janë diferencë”, ka shtuar Hajdari.
Megjithatë, ka qenë prapë Molliqaj i cili ka shtruar pyetje thumbuese ndaj Hajdarit, duke e pyetur “A ki ti naj lidhje me najkan të VV-së po më intereson? A ki ti me kryeministrin lidhje?”
Hajdari ka thënë se nuk ka lidhje familjare të afërt me kryeministrin.
“Mund ta kem familjarë të largët, por nuk e kam të afërt”, ka thënë Hajdari, e cila ka thënë se Kosova është e vogël dhe se nuk mund të jetë çudi nëse ka lidhje familjare të largët.
Nga ana tjetër, ka qenë analisti politik Adrian Çollaku, i ka quajtur “filmaxhi” pjestarët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se ata bëhen edhe brutal në shumë raste.
“Brutaliteti i tyre ka me iu kthy boomerang”, ka thënë Çollaku, ndërsa ka shtruar pyetje ndaj Molliqajt.
“A mundeni me qëndru pa garu”, ka pyetur gazetari Çollaku.
Molliqaj ëshë përgjigjur se “PSD-së do t’i vijë dita”, ndërsa ka theksuar se bindjet e tyre janë të thella karshi shqetësimeve që i ka Kosova.
Ndërkaq i pyetur për veriun, Molliqaj ka pranuar se Kosova e ka kontrollin në veri, por megjithatë ky kontroll e ka rritur autonominë në letra.
“Kosova e ka kontrollin në veri. Por nuk është lajm i mirë sepse ky kontroll i njëanshëm e ka rritur autonominë që të ka ardh në letra. Sot ti nuk kushtëzohesh nga Serbia apo lobimi i Vuçiqit por suksesi apo mossuksesi i anëtarimit në çfarëdo organiazte varet nga shtetet perëndimore si Anglia, Gjermania, Franca…”, ka thënë Molliqaj.
Ai ka theksuar se tashmë pozicioni i Serbisë është ai i ndërkombëtarëve, ndërsa ka theksuar se edhe përzgjedhja e kryetarëve në veri ka qenë e dhunshme.
“Kryetarët e komunave në veri janë të dhunshëm. Janë shku me polici dhunshëm”, ka thënë Molliqaj.
Por megjithatë ka qenë gazetari Buzhala, i cili ka thënë se ndërkombëtarët i kanë legjitimuar ato zgjedhje që janë mbajtur në veri.
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 25 prill të vitit që lamë pas, shpalli rezultatet për zgjedhjet lokale të 23 prillit që u mbajtën në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e rinj të katër komunave veriore u bojkotuan gjerësisht nga popullata serbe atje.
Sipas të dhënave të KQZ-së, në zgjedhje dolën 1.567 votues apo 3.47 për qind e trupit zgjedhor. /Gazeta10/