Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka mirëpritur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për dokumente kalimi, raporton Gazeta10.
Abazoviq ka thënë se dialogu është e vetmja zgjidhje për tejkalimin e problemeve.
Ai ka thënë se ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën por mund ta ndryshojmë të ardhmen.
Këtu keni statusin e plotë:
“Qeveria e Malit të Zi mirëpret marrëveshjen ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Dialogu është zgjidhja e vetme e mundshme për të kapërcyer çdo krizë. Ne duam paqe, stabilitet dhe prosperitet në Ballkanin Perëndimor. Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por mund të ndryshojmë të ardhmen”, ka shkruar Abazoviq në llogarinë e tij në Twitter.
Kujtojmë se për reciprocitetin e paralajmëruar nga Kosova në targa dhe dokumente kalimi ka pasur tensione të mëdha politike. Në Kosovë dhe Serbi për këtë temë kanë qëndruar i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak si dhe i dërguari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Para pak orësh, përfaqësuesi i lartë i Bashkimi Europian për Politikë të Jashtme, Josep Borell, e ka konfirmuar se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje ku Serbia ia ka pranuar Kosovës dokumentet e kalimit. / Gazeta10