Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Abdixhiku: Kurti ka rënë në kurthin e Serbisë, s’mund të ushtrojë sovranitet në veri

Gazeta10
19 December 2022 - 11:11

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka shprehur shqetësimin për barrikadat, të cilat thotë se “po bëhen tashmë të zakonshme” në veri të vendit, raporton Gazeta10.

Abdixhiku ka thënë se Kurti ka rënë në kurthin e Serbisë dhe më nuk mundet as të ushtrojë sovranitet e as të krijoj stabilitet në veri.

“Albin Kurti tashmë ka rënë në kurthin e Serbisë. Ai s’mund as të krijojë stabilitet e as të ushtrojë sovranitet në veri. Ai sot nuk ka as edhe një plan shtetëror për të ballafaquar gjendjen në veri. Barrikadat e grupeve kriminale po bëhen tashmë të zakonshme, siç po bëhet i zakonshëm dhe moszëvendësimi i qindra policëve të dorëhequr, prokurorëve, gjyqtarëve e punëtorëve administrativ në veri që s’ushtrojnë detyrat pa të cilat shteti nuk ka përfaqësim. Për më tepër, sot Kosova as nuk ka institucione shtetërore në veri e as që mund të organizojë zgjedhje demokratike për t’i zgjedhur këto institucione aty. Pra jemi në vakum administrativ. Nëse ishte keq e rëndë në Veri, sot është dhe më keq e edhe më rëndë se që ishte paraprakisht. Kjo është e vërteta në veri dhe këtë të vërtetë institucionet e Kosovës s’mund ta lejojnë të normalizohet tani”, ka shtuar Abdixhiku,

Ai thotë se moskordinimi i Qeverisë është vazhdimësi e renies në kurthin e Serbisë, andaj kërkon nga ekzekutivi që të bashkëpunoj me aleatët.

“Prandaj koordinimi është mençuri e maturi. Ecja me aleatë ka qenë gjithnjë interes kombëtar i Kosovës. Ai shpërfaqet si servilitet vetëm përpara politikanëve të turmave e ideologëve anti-perëndim që për qëllim të hapur mbajnë rrënimin zhbërjen e Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë ndihmë. Nga aty të koordinojë çdo hap të ardhshëm me aleatë për të kthyer rendin e ligjin në veri. Sjellja e vonuar, apo e pakoordinuar, është vazhdimësi e rënies në kurthin e Serbisë.”, ka shkruar ai.

Tutje Abdixhiku ka kritikuar Kurtin edhe për fjalimet e tij “populliste” ndaj aleatëve duke thënë se tani nga po të njëjtit po kërkon ndihmë.

“Fjalimet e kota e populliste nga foltoret në Prishtinë sot humbasin përbrenda thatësisë. Sot humbasin dhe zërat që i kërkonin Kosovës t’i shpërfaqë sovranitetin aleatëve tanë, tek po të njëjtit aleatë që thirremi sot për ndihmë kur bandat kriminale të Serbisë e Rusisë veprojnë në territorin tonë lirshëm e pa pengim.”, ka shkruar ai./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.