
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur për qëndrimin e partisë së tij pas marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje për zgjedhjen e presidentit konsensual.
Abdixhiku tha se LDK-ja, sipas tij, ka bërë më të mirën e mundshme dhe theksoi se marrëveshja nuk nënkupton zgjatje të qeverisjes së Albin Kurtit.
“E bëmë më të mirën e mundshme. Për herë të parë, pas marrëveshjes, pas të gjitha takimeve, thanë se s’ka votë për zgjatje të qeverisjes së Kurtit. E logjika qenka kështu: nëse ne e zgjedhim një president konsensual, ne ia zgjasim jetën Kurtit”, tha Abdixhiku.
Ai foli edhe për qëndrimin e deputetit të LDK-së, Kujtim Shalës, duke thënë se ai mund të ketë mendimet e veta, por se nuk ka dhënë votë kundër shumicës.
“Kujtim Shala ka thënë: ‘Unë nuk mendoj se duhet të takohem me ta, po votë kundër shumicës s’kam’. Unë e kam njohur Kujtimin, i ka mendimet e veta, por votë kundër shumicës s’jep”, deklaroi Abdixhiku.
Abdixhiku tha se është i zhgënjyer nga zhvillimet e fundit, pasi kishte pritur që qëndrimi i tij të respektohej.
“Jam i zhgënjyer, sepse kam pritur ta mbaj, por jo ta ushtroj”, u shpreh ai.