
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës , Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për President të Kosovës.
Abdixhiku ka vlerësuar se Sejdiu tregoi dinjitet përballë asaj që ai e cilësoi si “histeri politike”, duke theksuar se pikërisht karakteri i tij dëshmonte se do të ishte zgjedhja e duhur për postin e Presidentit.
“Bekim Sejdiu tregoi dinjitet. Tërheqja e tij, përballë histerisë politike, dëshmon pikërisht pse një njeri me karakterin e tillë do të ishte zgjedhja e duhur për President”, ka shkruar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka shprehur gjithashtu keqardhje që Kosova aktualisht nuk ka President, duke kritikuar gjendjen politike në vend.
Sipas Abdixhikut, situata aktuale karakterizohet nga “kaos politik” dhe përdorimi i “bllokadës si mjet”, në një kohë kur vendi përballet me një ngërç institucional.