Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Abdixhiku vazhdon vizitat në bizneset, edhe kritikat ndaj pushtetit po ashtu

Gazeta10
30 September 2022 - 11:50

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vazhduar vizitat në bizneset private, si dhe kritikat ndaj pushtetit, raporton Gazeta10.

Abdixhiku ka vizituar Alban Shabanin, një përpunues të mjedrave dhe ka folur për rrugëtimin e tij.

Tutje, Abdixhiku ka thënë se bizneset kosovare kanë shpirt të jashtëzakonshëm krijues.

I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka kritikuar pushtetin duke përmendur ngarkesat byrokratike si dhe ndërprerjen me energji elektrike.

Abdixhiku ka thënë se LDK do të jetë përherë në krah të bizneseve.

Këtu keni statusin e tij të plotë:

“Ndërmarrësit kosovarë, bizneset familjare, kanë shpirt të jashtëzakonshëm krijues. Një ndër ta është edhe Alban Shabani, themelues i biznesit më të madh përpunues të mjedrave në Kosovë “Joni-Sh”. Atë dhe biznesin e tij në fshatin Ballofc pata rastin ta vizitoj me bashkëpunëtorë. Aty dëgjova për rrugëtimin e tij bukur impresiv. Ndonëse i diplomuar në Shkenca Politike, Albani kishte vendosur të braktisë jetën në Prishtinë e të merrej me përpunim të frutave të imta në fshatin e tij. Fillimi ishte i vështirë – punë e kredi bankare përplot – por sot, shtatë vite me pas, ai punëson 20 gra në përpunim, merr produktet e plot 230 fermerëve familjarë nga rajoni i tij dhe eksporton mbi 2 milionë euro në vit mjedra në Gjermani e Austri. Është një rrjet i tërë i fermerëve, punëtorëve e familjeve që sot përfitojnë nga ky zinxhir.

Albani na foli për të gjitha problemet që ai dhe biznesi i tij kanë sot. Ngarkesat e vonesat burokratike si dhe shpërputhja komunikuese e institucioneve me të dhe 230 fermerët kultivues, janë brenga të përditshme të tij dhe të përpunuesve si ai. Ndërprerjet e furnizimeve me energji elektrike ndërsa, bëjnë shpesh që temperaturat e ftohjes të dëmtojnë rëndë kualitetin e produkteve që ai sot eksporton.

Bizneset kosovare, ndërmarrësit e punëtorët pa dallim kanë nevojë për dorën e shtetit. Ata, në fund të ditës janë vet shteti. Janë gjeneruesit e të hyrave shtetërore e krijues të vendeve të punës për punëtorët. Për LDK-në, çdo rritje e biznesit është rritje e vet shtetit; prandaj sot flasim me ta. Duam t’i kuptojmë sot mirë, mundësitë dhe brengat e tyre pa dallim, për t’i dhënë nesër vendit ecjen e synuar bashkërisht”, ka shkruar Abdixhiku në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.