
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi në Politiko tha se zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme janë krejtësisht të panevojshme, ndonëse tashmë janë një proces i pashmangshëm.
Sipas tij, megjithëse data e zgjedhjeve është caktuar dhe partitë politike pritet të fillojnë mobilizimin dhe organizimin, kjo situatë nuk duhet të trajtohet si diçka normale.
“Duhet ta themi që në fillim se këto zgjedhje kanë qenë të panevojshme. Është e vërtetë që tash është fakt i kryer dhe ato do të ndodhin, por nuk mund të kalohet kaq lehtë si diçka krejt normale që Kosova po mban pothuajse 5 palë zgjedhje në më pak se 16 muaj, përfshirë edhe ato lokale,” tha Rrustemi në Politiko.
Rrustemi tha se një frekuencë e tillë e proceseve zgjedhore nuk është shenjë e mirë për vendin, duke theksuar nevojën për stabilitet institucional.
“Kosova nuk ka pasur nevojë për zgjedhje, por për stabilitet institucional dhe për të vazhduar me një mandat të plotë qeverisës në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit,” tha tutje Rrustemi.
Deklarata e plotë: https://www.youtube.com/watch?v=17AMxPSd7Mw&pp=0gcJCd8KAYcqIYzv