
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci në Politiko tha se subjekti i tij politik ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve dhe për të çuar përpara proceset politike në vend, atë të zgjidhjes së presidentit.
Sipas Bajqinovcit, deri “dje në mbrëmje” janë ndërmarrë hapa konkretë dhe janë ofruar prova të mjaftueshme për të dëshmuar angazhimin në këtë drejtim. Ai theksoi se Vetëvendosje ka qenë gjithmonë aktive në inicimin e proceseve dhe në kërkesat për takime me partitë tjera politike.
Duke shpjeguar kronologjinë e zhvillimeve, Bajqinovci përmendi fillimisht takimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës si dhe kërkesat për takime me Partinë Demokratike të Kosovës. Ai u ndal edhe te periudha para shkarkimit të Kuvendit nga ish-presidentja Vjosa Osmani, duke shtuar se më pas Gjykata Kushtetuese e kishte cilësuar atë vendim si shkelje, pra si vendim joligjor.
“Po flasim pak kronologjikisht, duke filluar nga takimet me LDK-në, me kërkesë për takime edhe me PDK-në, si dhe periudhën para shkarkimit të Kuvendit nga ish-presidentja Osmani. Më pas, pas daljes së vendimit nga Gjykata Kushtetuese, u konstatua se ka qenë shkelje, pra nuk ka qenë vendim ligjor”, tha Bajqinovci në Politiko.
Pas kthimit të situatës në pikën fillestare, Bajqinovci tha se Vetëvendosje ka rifilluar përpjekjet për vazhdimin e bisedimeve politike, duke kërkuar edhe përfshirjen e opozitës në proces. Ai theksoi se një nga kërkesat e tyre ka qenë që posti i presidentit t’i takojë kësaj partie.
Deklaratat e plotë: https://youtu.be/enG9VnC4tlo