Duhet Lexuar

AGK e ashpër: Ky vendim për Klanin, të kuptohet si vendim i Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes

Gazeta10
28 Korrik 2023 - 17:40

Pas vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për refuzimin e ankesës së Klan Kosovës, ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës të cilët janë shprehur të alarmuar me vendimin e Komisionit të Ankesave pranë MINT për të refuzuar ankesën e televizionit Klan Kosova, duke lënë kështu në fuqi vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit të këtij mediumi.

Sipas tyre me këtë vendim, ministrja Rozeta Hajdari e cila është pjesë e Qeverisë Kurti ka finalizuar të gjitha veprimet administrative të nevojshme për të mbyllur televizionin Klan Kosova. Ndonëse vendimi mund të apelohet në gjykatë, ky vendim duhet të kuptohet si vendim i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Kurti për të mbyllur një medium për herë të parë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

“AGK-ja, beson se ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe Qeveria e Kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend. Vendimi i sotëm i ministrisë së udhëhequr nga ministrja Hajdari konfirmon luftën e hapur dhe të paprecedent të kësaj qeverie, kundër medieve, si paralajmërim që edhe të tjera medie do të jenë cak i sulmeve”, thuhet tutje në reagimin e tyre.

Ata tutje kanë inkurajuar Klan Kosovën që ta vazhdojë betejën në gjykatë dhe shprehë besimin që gjykata nuk do të lejojë mbylljen e një mediumi në Kosovë.

Sipas tyre vendimi i sotëm politik i Qeverisë Kurti është goditja më e rëndë që i bëhet lirisë së medies në Kosovë që prej kohës së luftës. /Gazeta10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.