Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

63 minatorë mbesin të ngujuar në horizontin e 11-të të Trepçës

Gazeta10
07 October 2026 - 21:12

63 minatorë kanë mbetur të ngujuar në horizontin e 11-të të minierës së Trepçës, pasi është djegur trafoja kryesore e energjisë elektrike. Ekipet përkatëse janë duke punuar për sanimin e defektit dhe nxjerrjen e tyre.

Lajmin e ka konfirmuar Ibishi, i cili ka bërë të ditur se ekipet janë në terren dhe po punojnë për zgjidhjen e situatës.

“63 minatorë janë ngujuar. Trafo kryesore është djegur. Jemi duke punuar për nxjerrjen e tyre”, tha Ibishi.

Ndërkohë, drejtori i Prodhimit në Trepçë, Bujar Jashari, ka deklaruar se ekipet po punojnë për sanimin e defektit, duke bërë të ditur se gjendja shëndetësore e minatorëve është e mirë.

“Janë duke punuar ekipet në sanimin e defektit. Gjendja shëndetësore e minatorëve është e mirë. Besojmë që shumë shpejt do ta rregullojmë problemin, do të rikthehet energjia dhe minatorët do të dalin”, deklaroi Jashari.

Për situatën ka folur edhe drejtoresha e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Mitrovicë, Fitore Mehmeti-Behmari, e cila ka konfirmuar se gjendja e minatorëve aktualisht është e mirë.

Ajo ka bërë të ditur se ekipet e zjarrfikësve janë duke tentuar të hyjnë në minierë për të ndihmuar në procesin e nxjerrjes së minatorëve.

“Zjarrfikësit janë duke tentuar të hyjnë brenda. Momentalisht, gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, por shpresojmë të mos zgjasë shumë”, ka deklaruar Mehmeti-Behmari.

Ekipet në terren po vazhdojnë punën për sanimin e defektit dhe rikthimin e energjisë elektrike, pas së cilës pritet të nisë nxjerrja e minatorëve nga horizonti i 11-të.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.