
Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, në emisionin “Politiko” në Kanal10, ka deklaruar se mosvotimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara në lexim të dytë do të përbënte, sipas tij, një dëm të madh dhe mungesë përgjegjësie ndaj kërkesës së qytetarëve.
Tahiri tha se në kohën kur po zhvilloheshin këto diskutime, qytetarët ishin mbledhur në shesh me kërkesën që ligji të miratohej.
“Qytetarët e Kosovës nxiteshin në Sheshin Skënderbej, ishin në Prishtinë, me kërkesën e vetme: votoni ligjin, votoni ligjin, sepse minutat po shkojnë dhe disa minuta do të mbetemi pa Kuvend”, tha Tahiri.
Ai theksoi se mungesa e mbështetjes për ligjin edhe në leximin e dytë do të ishte, sipas tij, “një dëm i madh” dhe mungesë përgjegjësie e deputetëve ndaj qytetarëve të Kosovës.
Tahiri tha se pas deklarimit pozitiv të Albin Kurtit për mbështetjen e ligjit, PDK-ja ka pranuar që të trajtojë edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit.
“Kur zoti Kurti është deklaruar dhe i është përgjigjur pozitivisht kërkesës tonë që po, janë bashkëpunues dhe mbështetës për ligjin, ne kemi pranuar që me trajtu çështjen e presidentit, për të cilën gjithashtu kemi vlerësuar që është shumë e rëndësishme me u trajtu”, deklaroi Tahiri.
Ai shtoi se qëndrimin e PDK-së për çështjen e presidentit e kanë bërë publik edhe më herët./Gazeta10