
Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, në emisionin “Politiko” në Kanal10, ka folur për fazën e apelit në Gjykatën Speciale, duke kërkuar veprime konkrete dhe mbështetje institucionale për ish-pjesëtarët e UÇK-së.
Tahiri tha se, përveç çështjes së ligjit dhe zgjedhjes së presidentit, duhet të vazhdohet me një strategji shtetërore dhe kombëtare për mbështetjen e të akuzuarve në fazën e apelit.
“Është shumë e rëndësishme, përveç ligjit dhe presidentës që është zgjedh, me vazhdu me hapa konkretë tek strategjia për bashkëpunim shtetëror dhe kombëtar, në mbështetje të çlirimtarëve të UÇK-së në fazën e apelit”, deklaroi Tahiri.
Ai tha se PDK-ja ka vullnet për bashkëpunim institucional në këtë drejtim dhe se, sipas tij, kanë marrë zotime edhe nga Albin Kurti.
“Kam marrë zotime edhe nga zoti Kurti, po edhe vullneti nga Partia Demokratike e Kosovës që të jemi bashkë, me strategji në mbështetje institucionale”, tha Tahiri.
Tahiri u shpreh optimist për fazën e apelit, duke thënë se ajo mund të jetë fazë vendimtare për çështjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së./Gazeta10