Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Ahmeti jep detaje për ish-Shkollën Teknike në Obiliq: Dyshime për kultivim të drogës në objekt

Gazeta10
08 September 2026 - 19:21

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Obiliqit, Sami Ahmeti, ka dhënë detaje për ish-Shkollën Teknike, objekt i cili, sipas tij, prej vitesh ka qenë i uzurpuar nga shteti serbë.

Në një lidhje direkte në Kanal10 në emisionin ‘Gazeta’ , Ahmeti tha se objekti është përdorur si shkollë deri në vitet ’90, kur, sipas tij, pushteti i atëhershëm serb i dëboi nxënësit shqiptarë nga kjo shkollë. Më pas, në objekt u vendosën persona serbë, të cilët, sipas Ahmetit, kanë qëndruar aty për vite me radhë.

Ai tha se me marrjen e pushtetit në komunë, institucionet komunale kanë nisur procedurat për lirimin e objektit nga uzurpatorët.

Sipas Ahmetit, aktualisht në objekt ndodhen dy persona, të cilët komuna i ka njoftuar se duhet ta lirojnë hapësirën deri nesër në ora 10:00.

“Qysh në janar kemi filluar me procedurat administrative dhe proceduriale dhe këta kanë qenë të informuar që duhet ta lirojnë këtë objekt. Kanë kërkuar vazhdimisht kohë shtesë”, deklaroi Ahmeti.

Ai tregoi se gjatë kontrolleve të mëhershme nga ndërmarrja publike dhe inspektorati komunal janë gjetur edhe disa gjëra të dyshimta.

Mes tyre, Ahmeti përmendi uniforma të Policisë, për të cilat tha se nuk dihet se për çfarë janë përdorur, si dhe një ambulancë familjare të strukturave ilegale serbe, për të cilën gjithashtu nuk dihet se kë ka shërbyer.

Ahmeti tha se për këto gjetje janë informuar institucionet e Republikës së Kosovës, veçanërisht organet e rendit.

Ndërkohë, gjatë kontrollit të fundit në objekt, sipas tij, ekipet kanë hasur në pamje të dyshimta.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal tha se pas ekzaminimit të kryer nga ekipet e posaçme të Policisë së Kosovës janë ngritur dyshime se në objekt mund të ketë pasur kultivim të lëndëve narkotike ose tentativë për kultivimin e tyre.

“Gjatë ekzaminimit që sot e kanë bërë ekipet e posaçme të Policisë së Kosovës, aty u vërtetua se ose ka pasur kultivim të lëndëve narkotike apo ka pasur tendencë për kultivimin e lëndëve narkotike”, tha Ahmeti.

Ai e cilësoi shqetësuese faktin se kjo hapësirë ka qenë e mbyllur dhe qytetarët nuk kanë pasur qasje në të për një periudhë të gjatë.

Ahmeti tha se komuna tashmë ka marrë masa dhe ka nisur procedurat për rikthimin e objektit në shërbim të qytetarëve të Obiliqit.

“Me ardhjen në pushtet, ne i kemi filluar procedurat dhe kjo shkollë do t’u kthehet qytetarëve”, përfundoi ai.

Dyshimet lidhur me kultivimin e lëndëve narkotike pritet të sqarohen nga institucionet kompetente, ndërsa përgjegjësitë eventuale do të përcaktohen në bazë të hetimeve./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.