
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka shprehur shpresën se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë do të lirohen më 16 shtator.
I pyetur nëse një vendim për pafajësinë apo lirimin e tyre do të mund të ndikonte në skenën politike të Kosovës dhe në rikthimin e tyre në politikë, Gjini ka thënë se nuk mund ta parashikojë një zhvillim të tillë.
Gjini ka thënë se nuk dëshiron të spekulojë për ndikimin që një vendim i mundshëm i Dhomave të Specializuara do të kishte në skenën politike, por ka theksuar se Aleanca synon ndryshimin politik pavarësisht zhvillimeve që mund të ndodhin.
“Nuk mundem me e ditur, nuk mundem me e ditur, nuk mundem me e bërë orakullin. Unë me sinqeritetin më të madh shpresoj që për hir të Kosovës, jo për hir të skenës politike, por për hir të fëmijëve tanë… Ne kemi me i parë udhëheqësit e luftës sonë të lirë. Për Kosovë. Kemi me e pagua koston nëse ndodh ndryshe, e dimë. Ama për ndryshim të skenës politike, Aleanca po synon me e ndryshuar skenën politike, po punojmë çdo ditë. E mirëpresim avancimin politik, reformimin politik të cilësdo parti politike në Kosovë se në fund të fundit është mirë për të gjithë. Mirëpo, reformimin më të madh duhet me e pësuar partia e cila që shtatë vite po e mban Kosovën prej krizës në krizë. Shtatë vite, s’ka ndonjëri… Shtatë vite, Kosova shkon prej krizës në krizë.”, ka deklaruar Gjini.
Në këtë drejtim, Gjini ka kritikuar edhe qeverisjen aktuale, duke thënë se Kosova gjatë viteve të fundit ka kaluar “prej krize në krizë”, ndërsa ka përmendur edhe problemet në raport me partnerët ndërkombëtarë, sanksionet e Bashkimit Evropian dhe rezultatet e dobëta të Kosovës në PISA.
Duke folur për rezultatet e fundit të PISA-s, Gjini ka akuzuar Qeverinë se nuk është marrë mjaftueshëm me reformimin e sistemit arsimor.
Ai ka propozuar krijimin e një Këshilli Nacional për Arsim, me pjesëmarrje të përfaqësuesve politikë dhe ekspertëve, me qëllim që reformat në arsim të jenë afatgjata dhe të mos ndryshojnë me ndërrimin e qeverive.
Gjini tha se Kosova duhet të ndërtojë një platformë politike, teknike dhe profesionale për reformimin e arsimit, e cila do të mund të zbatohej pavarësisht ndryshimeve në pushtet.