
Raporti: Saranda Aliu
Me kritika po vazhdon të përcillet puna e Gjykatës Speciale, e cila po akuzohet për shkelje të të drejtave të akuzuarve, të cilët po mbahen në paraburgim nga vjeshta e vitit 2020. Për ketë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kërkuar krijimin e një mekanizmi ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të të akuzuarve. Nga ana tjetër, janë kërkuar sqarime lidhur me pretendimet se Prokuroria Speciale ka fshehur prova shfajësuese. Që kur u themelua, puna e Gjykatës Speciale u përcoll me kritika të vazhdueshme.
Kjo gjykatë edhe më tej po kritikohet për mostransparencë, vonesë në nxjerrje të materialeve, si dhe zvarritje të procedurës paraprake.
Të gjitha këto, po konsiderohen se po cenojnë të drejtat e të akuzuarve që po mbahen në paraburgim prej vjeshtës së vitit 2020, 3 prej të cilëve tashmë janë dënuar.
Andaj, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se ka ngritur diskutime për themelimin e një mekanizmi ndërkombëtar që do të monitoronte zbatimin e të drejtave të njeriut.
Madje ajo ka thënë se këtë kërkesë e ka ngritur edhe te kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Sipas Avokatit të Popullit në Kosovës, Naim Qelaj redaktimet në aktakuzë, vonesat në nxjerrjen e materialeve e përkthimet e dobëta, kanë cenuar të drejtat e të akuzuarve.
Ndërsa, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, derisa po ashtu kanë ngritur kritika ndaj punës së gjykatës, kanë kërkuar që të sqarohen pretendimet e mbrojtjes së ish-presidentit Thaçi se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka mbajtur të fshehur prova shfajësuese.
Deri më tani ende nuk ka ndonjë vendim se kur do të fillojë gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Gjithashtu, në pritje të fillimit të procesit gjyqësor është edhe Pjetër Shala.
Ndërsa në dhjetor të vitit 2022, është shpallur aktgjykimi nga ish pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa, i cili u dënua me 26 vet burgim, me pretendimin për krime lufte. / Kanal10