
Pas protestës së organizuar nga komuniteti serb në Mitrovicën Veriore për të shprehur paknaqësitë e tyre sa i përket vendimit për targa, ka pasur reagime të shumta nga vendi dhe jashtë për çështjen e targave, Asociacionit dhe dialogun Kosovë-Serbi, raporton Gazeta10.
Ndër reagimet me të forta erdhën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u bë thirrje të normalizohet situata dhe të mos ngriten më shumë tensione.
Në një përgjigje për Gazeta 10, Ambasada Amerikane në Prishtinë ka komentuar në detaje zhvillimet e dy ditëve të fundit duke u “pajtuar me qëndrimet e BE-së se këto zhvillime e vënë në rrezik progresin e rëndësishem të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.
“Është përgjegjësi e të dyja palëve të garantojnë paqen dhe stabilitetin në terren. Veprimet e tilla si djegia e makinave ose retorika frikësuese, janë të papranueshme dhe do të nxisin një reagim të duhur nga komuniteti ndërkombëtar. Ne u bëjmë thirrje atyre që të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe konfrontim. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e BE-së për të vazhduar në lehtësimin e negociatave. Si Kosova, ashtu edhe Serbia duhet të tregojnë se janë të gatshme të kërkojnë zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë detyrimet e tyre të bëra në dialogun e lehtësuar nga BE.”, thuhet në përgjigje.
Mirëpo, deri më tani Qeveria e Republikës së Kosovës ende nuk ka reaguar dhe as komentuar këto deklarata dhe kërkesa të amerikanëve për vendimin për targat dhe themelimin e Asociacionit.
Pas deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ka thënë se Kosova nuk ka komunë serbe, shumë zyrtar shtetërorë nga ky komunitet kanë dhënë dorëheqje në shenjë kundërshtimi./Gazeta10.