
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE) ka sot në rend dite çështjen e anëtarësimit të Kosovës në KiE.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në një postim në platformën X shkruan se sot anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kanë mundësi të dërgojnë një mesazh të fuqishëm se Evropa qëndron e fortë në përkushtimin e saj ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
“Sot, anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës u jepet mundësia të dërgojnë një mesazh të fuqishëm se Evropa qëndron e fortë në përkushtimin e saj ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut! Kushdo që beson vërtet në një të ardhme që mbështet këto vlera do të votojë në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, shkruan e para e shtetit.
Ndryshe, Besnik Tahiri, pjesë e delegacionit të Kosovës e ka quajtur ditë janë historike për vendin tonë.
Për Kanal10 ai ka thënë se në ora 16:00 do të zhvillohet debat për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ku raporti i Dora Bakoyannis duhet të marrë 2/3 e votave të anëtarëve prezentë. /Gazeta10/