
Raporti: Gentiana Gashi/Kanal10
Shumë ndërhyrje kirurgjike janë pamundësuar në Spitalin Rajonal të Gjakovës “Isa Grezda”. Kjo pasi aparatura që bën sterilizimin nuk është funksionale që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar. Nga Spitali kanë bërë të ditur se së shpejti do të nënshkruhet kontratë me kompaninë që do ta rifunksionalizjë aparaturën. Derisa, qytetarëve u janë ofruar vetëm shërbimet urgjente.
Kështu duket një nga aparaturat e Spitalit të Gjakovës, por ajo nuk po mund të përdoret për qëllimin për çka edhe është blerë.
Ajo që nga 5 dhjetori i vitit të kaluar është jashtë funksionit, duke pamundësuar sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale.
Shkaku i kësaj, shumë ndërhyrje në Spitalin Rajonal të Gjakovës nuk janë bërë gjatë kësaj periudhe.
Pacientët thonë se janë përballur me vështirësi për t’i kryer shërbimet në kohë optimale, përjashtuar rasteve urgjente.
Ndërkohë, nga spitali kanë njoftuar se të enjten do të nënshkruhet kontrata me kompaninë, e cila do të merret me funksionalizimin e aparaturës që mundëson sterilizimin.
Po, për t’u rifunksionalizuar nevojiten edhe 30 ditë të tjera.
Gashi ka thënë se gjatë kësaj periudhe janë detyruar që sterilizimin ta bëjnë në Spitalin e Prizrenit dhe atë të Pejës, për çdo dy ditë.
Zakonisht, procedurat e marrëveshjeve mes spitaleve dhe kompanive marrin kohë të gjata, e shpesh herë për shkak të problemeve të ndryshme kthehen në pikën zero.
Edhe në spitalet e tjera të Kosovës, ndodhë shpesh që për shkak të mungesës apo prishjes së aparaturave, nuk kryhen shumë intervenime mjekësore.