Politiko

Ardhja e Grenellit ‘re e zezë’ për qeverinë, analistët debatojnë ashpër në ‘Politiko’ për kabinetin e Trumpit

Gazeta10
07 Nëntor 2024 - 18:00

Të mërkurën në “Politiko”  me Kushtrim Sadikun është diskutuar për fitoren e presidentit Donald Trump në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkaq të ftuar kanë qenë komentatorët politikë Halil Matoshi, Adrian Çollaku, Nexhmedin Spahiu, Viktor Buzhala dhe Krenar Shala.

Profesori dhe njëherësh analisti politik, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se fitorja e Donald Trump përbën një lajm të mirë, ngaqë sipas tij, ai mund të ndalojë luftën Rusi-Ukrainë.

Megjithatë, Spahiu ka theksuar se ardhja e Trump në pushtet nuk do të ketë impakt të madh për Kosovën dhe në përgjithësi për Ballkanin Perëndimor.

“Lajm i mirë, por besoj se nuk do të ketë diçka të veçantë për Ballkanin dhe për Kosovën, por unë shpresoj që ai do ta ndalë luftën në Ukrainë”, ka thënë Spahiu.

Tutje, Spahiu ka thënë gjithashtu se ndalimi i luftës nga Trump do të shkojë në dëm të Ukrainës, pasi sipas tij, presidenti i sapozgjedhur amerikan nuk e konsideron Rusinë si rivalin kryesor amerikan.

Nga ana tjetër, gazetari dhe njëherësh analisti Halil Matoshi, e ka cilësuar si lajm të mirë ardhjen e Donald Trump në pushtet.

Matoshi ka theksuar se Trump është i njohur me aspektet e krizës së Kosovës, pasi sipas tij, ai ka qenë shef i presidencës asokohe kur Hoti dhe Vuçiq ishin takuar në zyrën ovale në SHBA.

“E them me vetëdije të plotë lajm i mirë për arsye se dëshmohen dy çështje; e para se Washingtoni nuk do të heqë dorë nga Kosova… Nën dy mendoj se zotri Trump është tashmë i njohur me aspektet e krizës së Kosovës”, ka thënë Matoshi.

Për rikthimin e Grenellit, Matoshi ka paralajmëruar se ai do të jetë një “re e zezë” për Qeverinë e Kosovës.

Tutje, analisti politik Viktor Buzhala ka thënë se zgjidhja e Kosovës mund të shkojë në kurriz të Ukrainës pas ardhjes së Trumpit në pushtet.

Sipas Buzhalës, Kosova mund të përfitojë leht nga tentimi i SHBA-së për të zgjidhur konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Nexhi e nisi aty që fatkeqësisht për Ukrainën e ndoshta fatmirësisht për ne, kjo zgjidhja e Kosovës besoj që goxha shumë ka me shku në kurriz të Ukrainës”, ka thënë Buzhala në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.

Nag ana tjetër, analisti politik, Adrian Çollaku, e ka cilësuar si vendim të mirë “mospërzierjen” e Kurtit në zgjedhjet në SHBA, ngaqë sipas tij, “kryeministri do të ishte bërë horë sepse nuk do të kishte pasur ndikim”.

“Kurti ka bo mirë që në këto zgjedhje hiç s’është përpjekje me interferu, jo që kish pas ndaj ndikim po veç ish bo horë”, ka thënë Çollaku.

Tutje, ai ka komentuar edhe paralajmërimin për ardhjen në pushtet të Richard Grenell si sekretar i ri i shtetit amerikan.

Çollaku ka thënë se me ardhjen e Grenellit nuk do të ketë “hakmarrje për Kosovën”

“S’mund ta themi tash që vjen Grenelli ka me na u hakmerr si vend”, ka thënë Çollaku.

Megjithatë në studion e “Politikos” nuk kanë munguar as debatet e forta.

Analisti politik, Krenar Shala e ka cilësuar si lajm të keq rikthimin e Donald Trump si president i SHBA-ve.

Madje, ai ka hedhur dyshime nëse Trump do t’i  mbajë të gjitha premtimet elektorale që i ka dhënë.

“Fat i mirë është që jo gjithçka që thotë Trumpi në fushatë parazgjedhore e bën sepse janë kufizimet që ia imponojnë atij që mos me mujtë me zgjidh secilin problem që ai ka thanë ka me zgjedh”, ka thënë Shala.

Por  deklarimet e tij për Trumpin u kundërshtuan nga gazetari Matoshi.

“Trump i përket një grupi të politikanëve që mendojnë që ky grupi që e humbi pushtetin së bashku me plot parti politike në Evropë ia kanë shkëput Serbisë një pjesë të territorit. Kështu ata mendojnë”, tha Shala.

“Kush ka thanë”, e ndërpreu Matoshi.

“Popullistat thojnë qashtu, partitë ekstreme të djathta”, tha Shala.

Tutje Matoshi u kundërpërgjigj ashpër ndaj Shalës, duke i thënë “nuk e kam ndërmend të dëgjoj përralla”, duke i cilësuar deklarimet e tij si të pavërteta.

Ndërkaq Shala e quajti këtë të fundit si “të padijshëm”.

Tutje, marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë qe shkak i mospajtimeve dhe vazhdimit të debatit mes Spahiut dhe Matoshit.

Matoshi ka thënë se Kurti tashmë do ta ketë më të lehtë zbatimin e marrëveshjes me Serbinë, ngaqë sipas tij, ai do të arsyetohet para militantëve të tij se ka pasur presion më të madh me udhëheqjen e Trumpit.

“Këtu zotri Kurti me Trumpin e ka ma leht sepse para militantave të tij munet me e shitë ma leht. Thotë presioni më i madh amerikan është Trumpi, ju  e dini që është i paraparashikueshëm dhe po duhet me i zbatu marrëveshjet”, ka thënë Matoshi.

Tutje derisa flitej për marrëveshjen me Serbinë, një përplasje dhe kundërshtime të opinioneve pati mes Matoshit dhe Spahiut, e cila u përcoll me “nervozizëm” tek të dy analistët.

“Nuk e thashë qashtu”, tha Spahiu.

“T’u ka fshi traka krejt, ktheje kasetën”, është kundërpërgjigjur Matoshi.

Debati ka vazhduar edhe në mes të Buzhalës dhe Matoshit.

Qe Matoshi, i cili nuk është pajtuar me mendimet e Shalës dhe Buzhalës ndërsa ka theksuar se “këta po i përmbysin faktet”, çka bëri që debati mes tyre të eskalojë edhe më tutje.

 

Ndryshe, Donald Trump ka fituar zgjedhjet si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke mundur Kamala Haris me 279 vota. Ai është presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara dhe presidenti i dytë në historinë e SHBA-së që fiton mandate jo të njëpasnjëshme.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.