
Gjyqtarët dhe prokurorët në Kosovë që nuk do ta kalojnë procesin e Vettingut, po kërkohet që së paku për dy vite mos të ushtrojnë profesion tjetër që ndërlidhet me sistemin juridik.
Këtë po e kërkojnë avokatë në vend, të cilët thonë se duhet të pengohen apo të rivlerësohen kandidatët të cilët nuk e kanë kaluar këtë proces, e që të njëjtit duan të ushtrojnë profesionin e avokatit, shkruan EO, transmeton Gazeta10.
Avokati Tomë Gashi, tha se nëse kjo masë nuk aplikohet, do të jetë dëm i madh për drejtësinë vendëse.
Duke folur për procesin e Vettingut, avokati Gashi e sheh si proces për t’i larguar personat që nuk e kanë vendin në sistemin juridik.
“Ne e dimë se së shpejti do të fillojë procedura e Vettingut, mënyrë kjo e ligjshme për t’i larguar ata të cilët nuk e kanë vendin në sistemin juridik të Kosovës dhe besoj që një prej masave preventive për të ardhmen do duhej të ishte që për një periudhë kohore së paku dy vite të mos kenë të drejtë (nëse ata shkarkohen apo nëse nuk e kalojnë Vettingun) që të regjistrohen si avokatë apo ndoshta edhe profesione të tjera specifike që ndërlidhen me punët që i kanë bërë ata si gjyqtarë apo prokurorë…Aty do të fillojë me integritetin profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve, me profesionalizimin e tyre, do të analizohen aktgjykimet dhe do të ndërlidhet edhe me çështjet e pasurisë dhe me çështje private”, u shpreh tutje Gashi.
Njëjtë mendon edhe avokati tjetër, Yll Zekaj. Ai thotë se proces të rivlerësimit ka pasur edhe më herët por që nuk ka ndodhur.
Zekaj thotë se nuk ka ligj që i pengon ata të ndryshojnë profesion, por që të njëjtit duhet t’i hyjnë një procesi të rivlerësimit.
Ai thotë se nëse një gjë e tillë ndodh, do të dëmtohet profesioni i avokatisë.
“Pikërisht në atë periudhë e kemi pas një proces të riemërimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ku një numër i caktuar i tyre pasiqë që nuk janë riemëruar si Gjyqtarë dhe Prokurorë, patën kaluar në profesionin e avokatisë, përkatësisht përmes licencimit në Odën e Avokatëve të Kosovës”./Gazeta10.