
Dëshmitarët që janë ftuar si ekspertë ndërkombëtarë nga Prokuroria e Specializuar e Hagës në rastin e krerëve të UÇK-së, kanë pasur një vëmendje tejet të madhe në dëshmitë e tyre.
Pas Fred Abrahams, ngjashëm ka ndodhur edhe me dëshmitaren Sandra Mitchell, e cila kishte qenë vëzhguese në misionin e OSBE-së në Kosovë.
Mitchell në një nga raportet e saj të hartuara, kishte folur edhe për rastin Panda në Pejë. Dihet se këtë krim ku u vranë gjashtë serbë e ka pranuar edhe Beogradi zyrtar, se ka qenë plan për ta fajësuar UÇK-në.
E Mitchell në raport kishte thënë se krimi ishte kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Pas pyetjeve nga avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, ajo e pranon gabimin, raporton Gazeta Nacionale.
“Tani do të iu tregoj një artikull të Ballkan Insight. Aty citohet se Vladimir Vukçeviq që nuk ka pasur shqiptarë në Pejë në atë kohë, dhe dy i gjithë informacioni u krye me synimin e atribuimit të tij palës tjetër. A e dini këtë fakt se vrasjet në kafenenë Panda ishin operacion i tillë me synimin për ta fajësuar UÇK-në?”, e pyeti Kehoe.
“Jo nuk e di”, u përgjigj dëshmitarja.
Kehoe e përballi dëshmitaren me raportin e saj.
“Ju publikuat një rrëfim për vrasjet në Panda që ju besoni se ishte i mundshëm. Në atë raport është deklaratë ku thuhet se u vranë 6 të rinj serbë dhe pas këtyre vrasjeve ishte UÇK-ja dhe shqiptarë?”, tha Kehoe.
“Po”, u përgjigj ajo.
“Nëse këto artikuj janë të vërtetë deduktimi që keni bërë ju, atëherë është i pasaktë?”, shtoi Kehohe.
“Po, ashtu del”, tha ajo.
Kehoe insistoi që dëshmitarja të tregonte nëse në raste të tila kanë bërë hulumtime, apo vetëm kanë kopjuar të dhëna nga raportet.
“Ju nuk kishit mundësinë të bëni hetime në atë kohë, por ky incident është përplot me emocione dhe kjo është me rëndësi. Dhe ju duhej që të hetonit siç duhet në çdo moment situatat?”, tha Kehoe.
“Po”, deklaroi dëshmitarja Mitchell.
Kehoe shtoi tjetër pyetje duke i thënë se serbët kanë bërë edhe operacione të tjera për ta fajësuar UÇK-në. Dëshmitarja nuk u pajtua.
“Nuk do të thoja me kaq siguri që ka ndodhur vazhdimisht. Raportet janë të mbështetura në pretendime”, tha ajo.
“Kur i hedh pretendimet në raport ju thatë që pasi i merrnit pretendimet ju vetë nuk bënit hetime të tjera?”, pyeti Kehoe.
“Jo, i kërkonim të tjerëve ta bënin”, deklaroi Mitchell.
Kehoe e përballi dëshmitaren edhe me raportin që ndërlidhej me rrëmbimin e dy gazetarëve serbë, njëri prej të cilëve ishte i akuzuar për krime lufte në Kroaci e Bosnjë.
“Shohim vëllimin e parë të raportit siç është treguar. Këtu flasim për ndalimin e dy gazetarëve të Tajugut, e shihni. Këtu thuhet që gazetarët e Tanjugut, u rrëmbyen nga anëtarë të UÇK-së më 18 tetort 1998 dhe më në fund u liruan pas dy muajsh. Do të tregoj një dokument që është pranuar si provë. Kur po shihnit rastin e dy gazetarëve edhe e hodhët këtë informacion ju nuk bëtë hetim kush ishin?”, tha Kehoe.
“Nuk jam e sigurt”, tha dëshmitarja.
“Bazuar në poshtë-shënimet ju nuk keni bërë hetime kush ishin ata?”, pyeti Kehoe.
“Korrekt”, u përgjigj dëshmitarja.
“Ky është dokumenti i pranuar si provë. Është për një nga këta reporterët me emrin Vladimir Dobriqiq që pretendonte se ishte fotoreporter, kur në të vërtetë ai ishte kyçur në grup vullnetarësh në Kroaci dhe ka kryer një sërë vrasjesh, dhe për shkak të krimeve që ka kryer, u vendos që Njësiti i tij të mbyllej. Është përshkruar si çetnik i egër. A bëtë ndonjë analizë për këtë zotëriun a ka qenë i përfshirë në krime në Kroaci e Bosnje?”, tha Kehoe më tutje.
“Kushdo që e shikon këtë për të kuptuar a ka veprimtari kriminale, ju pajtoheni me mua që duhet të shikojmë kush janë viktimat, çfarë të shkuara kanë?”, shtoi avokati i Thaçit.
“Kështu është”, u përgjigj dëshmitarja.
“Jo thjesht të marrësh e të kopjosh informacion?”, theksoi Kehoe.
“Po, e pranoj”, u përgjigj Mitchell.
Kehoe përmendi një tjetër rast ku serbët kishin bërë veprime të ndryshme për të fajësuar shqiptarët.
“Ne folëm Dobriçiqi nuk ishte fotoreporter i Tanjugut, folëm edhe për operacionin Panda. Kemi folur për informacione të tjera të sajuara që burojnë nga serbët, p.sh hedhja e pamfleteve nga shqiptarët e Kosovës. Në dhjetor 1998 u gjetën pamflete që kishte kërcënime për vdekje ku thuhej se ishin të UÇK-së. OSBE-ja u këshillua që shqiptarët e asaj kohe nuk besonin që ishin autentike, dhe ishin trillin nga Policia Serbe?”, tha Kehoe
“Nuk më kujtohet, por kam besim që nëse është në raport e kemi marrë këtë informacion”, u përgjigj dëshmitarja.
Deklarata e gabime të ngjashme kishte pranuar edhe hulumtuesi i Human Rights Watch, Fred Abrahams./Nacionale/