Lajme

Azemi i LDK-së telefonohet nga Grenell, merr mbështetje për ndërtimin e centralit me gaz në Ferizaj

Gazeta10
24 Janar 2025 - 17:40

Kandidati për deputet nga rradhët LDK-së, Visar Azemi përmes një postimi në Twitter ka kërkuar ndërtimin e një centrali me gaz në Ferizaj.

Ky postim i tij ka marrë mbështetje nga emisari presidencial për misione të veçanta, Richard Grenell i cili ka rishpërndarë postimin e deputetit në shenjë të mbështetjes për centralin me gaz, raporton Gazeta10.

“Ne u takuam sot me një furnizues amerikan të gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga Teksasi. Është e qartë se Kosova duhet të bashkëpunojë më shumë me prodhuesit dhe furnizuesit amerikanë. Ndërtimi i një termocentrali LNG është prioriteti ynë kryesor, jo vetëm për sigurinë energjetike, por për qëllime kombëtare dhe strategjike. Dua të falënderoj gjithashtu @richardgrenell për të na lidhur me këta partnerë të energjisë. Le ta bëjmë Kosovën të madhe. @brukiqi”, thuhet në postimin e Azemit.

Burimet e Kanal10 bëjnë të ditur se pas këtij postimi, Azemi ka pasur një bisedë telefonike me Grenellin nga i cili ka marrë mbështetje për projektin në fjalë.

Rikujtojmë se programi i LDK-së premton se furnizimi me gaz do të ulë koston e jetesës për qytetarët dhe bizneset.

LDK ka një program të zgjeruar në aspektin e ndërtimit të centralit me gaz dhe gazifikimit. LDK-ja zotohet në ndërtimin e centralit me gaz me kapacitet prej gjithsej 500 MË për sigurimin e energjisë bazë dhe për balancimin e sistemit duke mundësuar tranzicionin e largimit nga teknologjia e thëngjillit, dhe duke e mbyllur përfundimisht termocentralin “Kosova A”.

Sipas LDK, ky projekt do të kushtojë rreth 500 milionë euro, përderisa periudha e ndërtimit do të jetë katër deri në pesë vite. /Gazeta10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
11 Shkurt 2025

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.