
Bad News Eagles kanë arritur përsëri të kualifikohen në Major. Kësaj radhe kanë mposhtur organizatën e dytë më të mirë në botë, FaZe, për të arritur direkt në ‘Legends Stage’, duke i dominuar në dy hartat e zgjedhura si Inferno dhe Mirage.
BNE-ja nuk e nisi aq mirë rrugën drejt sigurimit të një vendi në Major të Parisit, pas u mposhtën nga 1WIN në ndeshjen e parë, por më pas arritën të këndellen, duke mposhtur Viperion dhe Apeks në dy ndeshjet në vazhdim për të çuar rekordin në dy fitore dhe një humbje.
Në anën tjetër FaZe e nisi më mirë, duke fituar dy ndeshjet e tyre të para, por u mposhtën nga NaVi.
Përballja mes BNE-së dhe FaZe është e dyta në këtë nivel, teksa djemtë nga Kosova i mposhtën edhe gjatë vitit 2022, madje atë kohë kjo organizatë ishte në vendin e parë në botë.
Përballja e sotme mes dy këtyre skuadrave ishte në sistemin më e mira nga tri harta (Bo3), me hartën Inferno që u zgjodh nga FaZe, e Mirage nga Bad News Eagles, ndërsa harta vendimtare nga vetë loja ishte Overpass.
Edhe pse Inferno ishte zgjedhja e FaZe, BNE u tregua dominante, duke siguruar fitoren më shpejtë seç pritej me rezultat 16-10.
Në Mirage ishte ndeshje më e baraspeshuar, edhe pse BNE pati epërsinë pasi si hartë është e favorizuar për ‘kundër-terroristët’ duke fituar në pjesën e parë si ‘terrorist’ me rezultat 9-6, pastaj në fund për ta fituar me rezultat 16-14.