Kampioni aktual i Kosovës, FC Ballkani, të enjten mbrëma e zhvillon ndeshjen e tretë të fazës së grupeve në Conference League në udhëtimin e largët dhe aspak të lehtë ndaj përfaqësuesit turk, Sivasspor.
Gjithsesi, Ballkani tashmë është gati për ndeshjen e tretë ndaj Sivassporit, që ka 4 pikë pas dy ndeshjeve, por me golavarazh 2-1, që do të thotë se nuk shënojnë shumë, por as nuk pranojnë gola të lehtë, karshi Ballkanit që ka shënuar tre dhe pranuar katër gola.
Mirëpo, problemi i madh për Dajën në këtë ndeshje janë mungesat e mëdha dhe atë të futbollistëve po thuajse kyç. Ndaj Sivasspor trajneri shqiptar nuk do të mund të llogaritë në Edvin Kuç, Nazmi Gripshi, Leonit Abazi, Rustem Hoxha të gjithë të lënduar, pastaj Leotrim Bekteshi nuk është 100% i gatshëm për lojë.
Sipas të gjitha gjasave as ai nuk do të mund të luajë fare, ose vetëm pak minuta në pjesën e dytë, ndërsa mbrojtësi Astrit Thaqi mungon shkaku i kartonit të kuq.